Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava në mesazhin me rastin e festës së Fitër Bajramit, ka thënë se luten dhe angazhohen që në botë të mbretërojë paqja, mirëkuptimi, harmonia e solidariteti.
Tërnava iu drejtuar të gjithë besimtarëve myslimanë me rastin e përfundimit të muajit të Ramazanit, gjatë të cilëve besimtarët përmes agjërimit plotësuan një kusht të besimit, me përkushtim lutje e ibadete, solidaritet e bamirësi, mbështetje për të tjerët dhe ndjeshmëri të veçantë pa dallim.
“Sonte në kohën e iftarit besimtarëve përmbyllin muajin e agjërimit, shijojnë mirësitë e natës së madhe të Bajramit dhe bëhen gati ta përjetojnë madhështinë e Festës së Fiter Bajramit, festë kjo që troket te të gjitha shtresat e popullatës me porosi e mesazhe të ngrohta, gjithnjë në funksion të afrimit me rahmetin e krijuesit të gjithësisë, i cili për agjërimin ka premtuar shpërblim të veçantë. Agjërimi ishte ibadet siç e përjetuam edhe në këtë muaj që në të gjitha dimensionet e tij shpreh përkushtimin, devotshmërinë, bindjen e sakrificën për krijuesit. Bëri që shoqëria të jetë më e socializuar, të jemi më pranë njëri tjetrit, t’i mbështesim e të jemi pranë prindërve, vëllezërve, farefisit dhe komunitetit”, tha ai.
Ai tha se pas dy viteve të shkuara që kaluan me përballje me pandeminë COVID-19, kësaj radhe ramazanin dhe festën e Bajramit, po e shijojnë mirësitë e ramazanit, ashtu siç e meriton ky muaj i bekuar.
“Lutemi e angazhohemi që në botë të mbretërojë paqja, mirëkuptimi, harmonia e solidariteti. Në këtë natë të bekuar kërkohet nga ne ta vlerësojmë misionin e njeriut që e ka në këtë botë, duke ruajtur një ekujlibër ndërmjet shpirtërores dhe materiales. Në kohën që po jetojmë njerëzimi sikur ka harruar vlerat shpirtërore, duke bërë kështu shoqërinë më materialiste, realitet ky që ka sjellë konflikte, gjakderdhje, dëbime, shkatërrime në tokë. Edhe në këtë natë në prag të Fiter Bajramit, kur ne po përgatitemi për të festuar, në shumë vende të botës njerëzimi po kalon ditë të vështira me trazira dhe konflikte, nga të cilat po pësojnë qytetarët e pafajshëm. Krijuesi ynë e do paqen, e do qetësinë, e do mirëqenien dhe sigurinë”, tha ai.
Tërnava shtoi se ashtu sikur në tërë botën myslimane, festa e Fiter Bajramit, është ndër festat më të dashura, familjare e më popullore, e shtresuar thellë në identitetin dhe kulturën e popullit tonë.