Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, sot, kur dha mesazhin me rastin e festës së Fitër Bajramit, u pyet edhe për sulmin ndaj gazetarit, Valon Syla dhe për çështjen e flamurit kombëtar.
Duke cituar librin e shenjtë Kur’anin se nuk ka dhunë në fe, Tërnava tha se nga kjo kuptohet se feja islame lufton çdo formë të dhunës. Ai tha se BIK-u do të jetë kujdestare e fjalës së lirë, si dhe dënoi sulmin ndaj gazetarit Valon Syla.
“Islami, por edhe vetë Bashkësia Islame e Kosovës ka qenë në vazhdimësi, është dhe do të jetë kundër çdo lloj dhune, në veçanti asaj fizike, që është e padrejtë që të përdoret ndaj kujtdo qoftë ai. Bashkësia Islame e Kosovës në vazhdimësi do të përkrahë, do të jetë kujdestare e shprehjes së lirë, e fjalës së lirë”, tha ai duke shtuar se BIK respekton mendimin ndryshe dhe dënon çdo akt të dhunës, edhe atë të gazetarit Syla.
Ndërsa, për flamurin kombëtar, Tërnava u shpreh se ai është shenjtëri. Tërnava potencoi se flamuri ka qenë, është dhe mbetet simbol identifikimi i përkatësisë sonë kombëtare.
“Unë jam myfti i Republikës dhe gjithherë bazohemi edhe në librin tone të shenjtë, në Kur’anin famëlartë. Flamuri është një shenjëtri në fenë islame, sepse pa dashtë të hy, sepse pyetja bëhet në aspektin fetar, është një shenjtëri, ku edhe vetë edhe luftërat, të cilat i ka zhvilluar Muhamedi alejhi selam në kohën e tij para 1400 vjete, i ka dhënë vlerë të jashtëzakonshme flamurit dhe nën flamurin pra ësshtë bërë rdhe lufta kundër kundërshtarëve. Andaj, flamuri ka qenë, është dhe mbetet simbol identifikimi i përkatësisë sonë kombëtare, të cilin duhet ngulitur thellë me zemrën, shpirtin dhe mendjen tonë”, tha ai, duke shtuar se është një pasqyrë në të cilën ne e shohim veten.
Kujtojmë që ditë më parë gazetari Valon Syla është sulmuar fizikisht pasi ka komentuar dhuratën që i është bërë hoxhës Mazllam Mazllami në Prizren. Ndërsa për çështjen e flamurit, imami tashmë i pensionuar Mazllam Mazlllami në një video të publikuar në rrjetet sociale, e ka quajtur leckë flamurin kombëtar. Për këto dy raste ka pasur reagime të shumta nga shoqëria civile.