Telekomi i Kosovës ka bërë të ditur se është njoftuar me vendimin e Ministrisë së Drejtësisë të datës 06.12.2022, për inicimin e procedurës disiplinore dhe për suspendimin e përmbaruesit privat Ilir Mullhaxha nga ushtrimi i funksionit të përmbaruesit privat, deri në një vendim të Komisionit Disiplinor.
Telekomi i Kosovës, si propozues i kësaj procedure, e përshëndet këtë vendim të Ministrisë së Drejtësisë, dhe njëherazi me të drejtë pret që ky përmbarues të shkarkohet nga detyra për shkeljet e bëra në çështjen përmbarimore në të cilën procedurë palë debitore është Telekomi i Kosovës Sh.A.
Telekomi i Kosovës edhe një herë e informon publikun se tashmë Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar shkeljet serioze në dëm të debitorit Telekomi, duke përfshirë procedurën përmbarimore dhe gjyqësore, e të cilat kanë rezultuar në dëme milionëshe kundër pasurisë publike të Telekomit të Kosovës si ndërmarrje publike.
Pas kthimit të rastit në rigjykim nga Gjykata Kushtetuese, në aktvendimin e Gjykatës Komerciale është vërtetuar fakti që përmbaruesi ka përfshirë në urdhër përmbarimor shuma që tejkalojnë vlerën e paraparë në vendimin e Arbitrazhit.
“Është i pakontestueshëm fakti që përmbaruesi në urdhrin përmbarimor ka përfshirë shuma prej miliona euro përtej dokumentit përmbarimor (Vendimi i Arbitrazhit). Andaj ky vendim i Ministrisë, edhe pse i përkohshëm, është një hap pozitiv në drejtim të vënies së ligjshmërisë në kuadër të institucioneve të cilat kanë autorizime publike”, thuhet në komunikatë.
Telekomi i Kosovës ka pritje që sistemi gjyqësor dhe prokurorial do të ushtrojnë kompetencat e tyre dhe ndërmarrin hapat e nevojshëm të vendosjes së drejtësisë dhe sqarimit të plotë të dëmeve dhe zhvatjeve, të cilat i janë shkaktuar pasurisë publike të Telekomit, në kuadër të rasteve që veçse janë iniciuar.