UBT News

​Të verbrit thonë se po vazhdojnë të diskriminohen

Shoqata e të verbërve të Kosovës dhe Zyra e Kryeministrit mbajtën sot konferencë për media për të shënuar javën ndërkombëtare të njeriut me shkop të bardhë “Braille është mundësi, jo imagjinatë”, ku u tha se të verbrit në Kosovë vazhdojnë të përballen me probleme të vjetra në qasje dhe mungesë të zbatimit të Ligjit për të verbrit.

Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, Habit Hajredini, tha se ndonëse është rregulluar infrastruktura ligjore, të verbrit ende ballafaqohen me sfida të ndryshme.

“Sfidat e të vërbërve janë si në aspektin e edukimit, punësimit, qasjes dhe kërkon angazhim të përgjithshëm për të ndërmarrë vendime konkrete, sidomos ajo që ka të bëjë me mungesën e ofrimit të shërbimeve specifike”, tha ai.

Edhe kryetari i Shoqatës të të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuki, tha se ende përballen me probleme të vjetra, teksa foli edhe për rëndësinë e javës së të verbërve.

“Të verbrit në këtë javë analizojnë sfidat dhe barrierat që kanë pasur prej javës ndërkombëtare të kaluar e deri më sot. Sfida kemi shumë dhe të arritura pak. Edhe ky vit, të verbrit e Kosovës i ka gjetur me probleme të vjetra, me mungesë qasje, me mungesë të zbatimit të Ligjit për persona të verbër, rregullimin e punësimit. Vërehet një përparim i vogël, që shpresojmë që në të ardhmen të rritet… Besoj që gjatë vitit 2022, nëse Konventa arrin të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, atëherë do të jem shumë i kënaqur. Më gëzon fakti që vet kryeministri ka premtuar që vitin ’22 ta shpallë vit të aftësisë së kufizuar”, tha ai.

Exit mobile version