Talibanët kanë njoftuar se do të ndalojnë muzikën në Afganistan, sepse e konsiderojnë atë jo islamike, dhe gratë që udhëtojnë për disa ditë do të duhet të kenë një shoqërues mashkull.
Zëdhënësi i talibanëve, Zabihulah Mujahid njoftoi për “New York Times” se muzika do të ndalohej në vend.
“Muzika është e ndaluar në Islam, por ne shpresojmë se ne mund t’i bindim njerëzit të mos bëjnë gjëra të tilla, në vend që të bëjnë presion mbi ta”, tha Mujahid.
Edhe pse gratë përfundimisht do të lejohen të kthehen në punë dhe të shkojnë në shkolla dhe spitale, Mujahid njoftoi se do të duhet të kenë një shoqërues mashkull për udhëtimet që zgjasin disa ditë.
Ai sugjeroi që gratë do të lejoheshin të ktheheshin në punë në të ardhmen për sa kohë që mbanin shami. Ai shtoi se kishte shqetësime të pabaza se talibanët do t’i detyronin përsëri gratë të qëndrojnë të mbyllura në shtëpitë e tyre.
Duke reaguar ndaj raporteve se talibanët tashmë ishin duke u hakmarrë ndaj atyre që i kundërshtuan, Mujahid tha: “Ne duam të ndërtojmë të ardhmen dhe të harrojmë atë që ndodhi në të kaluarën”.
Sipas tij, gjërat do të jenë ndryshe nën këtë sundim taliban nga regjimi i mëparshëm. Ai vëren se ata me dokumentet e duhura të udhëtimit do të jenë në gjendje të largohen nga vendi dhe se regjimi i tij nuk do të gjuajë ish-përkthyes dhe të tjerë që kanë punuar për ushtrinë amerikane për vite me radhë.
Komentet e tij të fundit vijnë vetëm një ditë pasi ai tha në një konferencë shtypi se gratë duhet të qëndrojnë të burgosura “derisa të krijojmë një procedurë të re”, përkatësisht derisa talibanët të trajnojnë forcat e tyre që të mos ngacmojnë gratë.
“Ne jemi të shqetësuar se forcat tona, të cilat janë të reja dhe ende nuk janë trajnuar mirë, mund të abuzojnë me gratë. Ne nuk duam që forcat tona, Zoti na ruajtë, të lëndojnë apo ngacmojnë gratë”, tha Mujahid me atë rast.
Ai theksoi se pagat e grave do të paguhen në shtëpitë e tyre, duke përsëritur atë që Ahmadullah Vasek, zëvendës komiteti i talibanëve për kulturën, tha për New York Times, se talibanët “nuk kanë probleme me gratë që punojnë” për sa kohë që ato mbajnë hixhab.