Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim deputetin shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberin, të cilin e ka uruar për zgjedhjen deputet pas shumë pengesave e sfidave me përsëritjen e zgjedhjeve në vendvotimin në fshatin Tërnoc të Bujanocit.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se kreu i ekzekutivit shprehu besimin që Kamberi, sikurse edhe në mandatet e kaluara do të vazhdojë të përfaqësojë me dinjitet shqiptarët dhe se do ta ketë përkrahjen e vazhdueshme nga ai personalisht, por edhe nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Ndërsa Kamberi ia shprehu kryeministrit Kurti mirënjohjen dhe falënderimin për përkrahjen e vazhdueshme publike që i ka dhënë këmbëngulësisë së tij për përfaqësim dhe përkrahjen konkrete që po u jep shqiptarëve në Medvegjë, Preshevë e Bujanoc.
“Në veçanti e falënderoi për vendimin në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndarjen e 255 mijë eurove për sigurimin e teksteve mësimore për nxënësit shqiptarë të këtyre tri komunave”, thuhet në komunikatë.
Duke diskutuar për gjendjen e shqiptarëve në përgjithësi në tri komunat, Medvegjë, Preshevë e Bujanoc dhe politikave diskriminuese e shtypëse të Serbisë, kryeministri tha se bashkëpunimi e rreshtimi i drejtë ndaj mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve nuk është vetëm nevojë, por domosdoshmëri e kohës.
Ai kërkoi koordinim e angazhim edhe më të madh, vendosmëri e ruajtje të unitetit politik të subjekteve shqiptare.
Takimi i sotëm është në vazhdën e takimeve që kryeministri Kurti mban me përfaqësuesit e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, për ruajtjen e marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit për avancimin e të drejtave të shqiptarëve.
Ndryshe, pjesë e këtij takimi ishin edhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ish-kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani dhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.