Në Kuvendin e Kosovës ka nisur shqyrtimi i parë i Projektligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, i cili para deputetëve të Kosovës është prezantuar si një ligj i ri dhe për të cilin grupet parlamentare kanë pas konsensus gjatë hartimit.
Ky projektligj ka sjellë si risi mundësinë e votimit për mërgatën e cila do të mund të votojë edhe në ambasadat e Kosovës në vendet ku jetojnë, por edhe është rritur vota preferenciale për kandidatë, nga pesë në dhjetë.
Në emër të përfaqësuesit të kësaj nisme legjislative, Abelard Tahiri u shpreh se për këtë projektligj ka pasur një konsensus politik. Ky projektligj ka gjithsej 130 nene dhe prej tyre 91 janë rishkruar.
“Pra, bashkërisht gjatë kësaj periudhe kemi arritur me ndërtuar një konsensus, frymë politike jashtëzakonisht të rëndësishme në mënyrë që të gjitha këto propozime që janë para jush janë si propozim i këtij Komisioni Ad-hock për trajtimin e reformës zgjedhore dhe assesi si propozime të ndara të grupeve parlamentare… Nga këto 130 nene, 91 janë hartuar dhe rishkruar komplet, ndërsa pjesa tjetër ka pas intervenime. Pra, sot nuk është plotësim-ndryshimi i ligjit për zgjedhjet nacionale, por është miratimi i një ligji të ri për zgjedhjet nacionale. Ky projektligj po ashtu përbëhet nga 21 kapituj. Si Komision punë e kemi ndarë në dy faza….Nga BE kemi marr rreth 40 rekomandime të cilat lidhet kryekëput me ligjin për zgjedhjet nacionale dhe jemi të lumtur që kemi arritur këto rekomandime t’i nënshtrojmë në normale ligjore”, tha ai.
Po ashtu, mërgata mund të votojë edhe përmes fahut postar që KQZ do ta hap në vendet ku jetojnë ata, por edhe përmes dërgimit të votës në Kosovë.
“Tashmë diaspora do të ketë mundësinë të votoj në tri mënyra,. Pra, përmes këtij ligji diaspora do të ketë mundësi edhe fizikisht në ambasadat e përfaqësitë diplomatike të vendit tonë kudo që i kemi të hapura. Ky është një hap i madh jashtëzakonisht i rëndësishëm i cili që padyshim e forcon lidhjen tonë si shtet me mërgatën tonë të fuqishme….Që për herë të parë u kemi lejuar dhe mundësuar KQZ që të hap fahun postal edhe jashtë Kosovës pra kryesisht në vendet ku janë të përqendruar në diaspor. Pra qytetarët në diasporë do ta kenë mundësinë që mos të shpenzojnë shumë marramendëse për dërgimin e votës në Kosovës sepse tashmë me këtë ligj KQZ u ka mundësuar këtyre ta votën në vendet e BE aty ku do të hapet fahu postal nga KQZ. Forma e tretë është ajo e vjetra që qytetarët tanë të mërgatës mund ta dërgojnë votën e tyre edhe në Republikën e Kosovës”, tha ai.
Përmes projektligjit të rido të mund të votohet për 10 kandidatë dhe votat e kandidatëve do të numërohen në qendrat komunale të votimit.
“Vota preferenciale, pra tash e tutje me këtë projektligj vota preferenciale nuk do të jetë më 5 siç ka qenë në 10 vitet e fundit por do të jetë 10, pra 110 kandidatë sa janë në listë të propozuar nga partitë politike qytetarët do të kenë një mundësi ta bëjnë një përzgjedhje më të madhe pra numri i tyre do të shkoj në 10…për herë të parë përmes këtij ligji kemi mundësuar që votat e kandidatëve do të numërohen në qendra komunale në ditën e nesërme dhe në ditën e votimit do të nxirren rezultati përfundimtar për partitë politike ndërsa të njëjta vota do të barten në qendra komunale ku do të filloj numërimi për kandidat. Mendoj se kjo do ta përshpejtoj procesin dhe do ta ul numrin e ankesave”, theksoi deputeti Tahiri.
Në kuadër të këtij projektligji për zgjedhjet nacionale, PZAP do të jetë në kuadër të KGJK-së.
Në seancën ku po shqyrtohet në lexim të parë Projektligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës janë të pranishëm edhe përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe Ambasada Amerikane të cilët kanë ndihmuar ligjvënësit e Kosovës për hartimin e këtij projektligji.