Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka bërë homazhe në kompleksin memorial të varrezave në fshatin Rezallë, në përkujtim të Masakrës së Rezallës të kryer dy dekada më parë nga ushtria e policia serbe.
Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri tha se kryesit e këtyre krimeve vazhdojnë të jetojnë të lirë, derisa kërkoi nga ndërkombëtaret që mos të heshtin përballë këtyre krimeve.
“Edhe njëherë kërkojmë e i bëjmë thirrje gjithë komunitetit ndërkombëtar që mos të heshtin para këtyre krimeve që kanë ndodhur më vendin tonë para dy dekadave, mos të heshtin para këtyre krimeve, derisa kryesit e veprave nuk dënohen asnjëherë nuk do të ketë qetësi mes popujve në këtë pjesë të Evropës”, tha ai.
Kosova sot përkujton Masakrën e Rezallës të kryer 22 vjet më parë nga ushtria e policia serbe të cilët ekzekutuan 98 shqiptarë, në mesin e tyre pleq e fëmijë.