UBT News

​Tahiri: Kosova duhet të kërkojë njohje reciproke, mos të ulet në diskutim teknik

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka prezantuar rezolutën e kësaj partie me pesë rekomandime për dialogun me Serbinë. Sipas tij, formati i tanishëm i dialogut duhet të ndryshojë dhe Kosovë mos të ulet në tryezën e diskutimit teknik.

Ai gjatë seancës plenare ku po mbahet debat parlamentar për dialogun Kosovë-Serbi, tha se rezoluta e AAK-së, kërkon që dialogu të përfundojë me njohje reciproke, e jo të vazhdohet në nivel të teknikëve.

“Ne mendojmë që formati i deritanishëm i dialogut Kosovë-Serbi duhet të ndryshojë, duke pasur parasysh se nuk po ka produktivitet. Në marrëveshje që një vit ka lëvizje, ka takime, por nuk ka produktivitet. Për ne dialogu duhet të kalojë në një etapë tjetër, duhet të kalojë në një etapë të diskutimit të marrëveshjes finale, ku Kosova kërkon njohje reciproke dhe nuk ulet më në diskutim teknik. Për shkak se është abuzim me shtetin e Kosovës, është abuzim me kohën e zëvendëskryeministrit, me qeverinë dhe dalje nga prioritet tona”, tha ai.

Ai ka prezantuar pesë rekomandimet e rezolutës së AAK-së, që sipas tij, kanë qëllim fuqizimin përballë Serbisë.

“Njohja e shtetësisë dhe mosndërhyrja në çështjet e brendshme dhe ato ndërkombëtare. 2. Republika e Kosovës është e përkushtuar që marrëveshja duhet të arrihet në përputhje me idenë e arritjes së zgjidhjes së madhe me një samit ndërkombëtar të organizuar nën kujdesin e presidentit Biden, përfaqësuesve të BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ne nuk jemi duke folur për turizëm, që të shkojmë në konferenca me u ul. Kur presidenti i shtetit amerikan Biden përmes emisarit të vet e merr rolin që të bëjë një marrëveshje ndërkombëtare e jo të shkojmë me dal në suret në Bruksel”, ka treguar ai.

Ai tha se marrëveshja duhet të jetë në përputhje me parimet për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial.


“Zgjidhja e madhe duhet të sigurojë që marrëveshja përfundimtare do ta hap rrugën për një dialog të vazhdueshëm brenda palëve për gjitha çështjet e hapura pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare. Pas marrëveshjes, dialogu duhet të vazhdojë për çështje të tjera të hapura me garanci nga ShBA-të, BE, posaçërisht nga vendet e QUINT-it dhe Mbretëria e Bashkuar”, ka deklaruar ai.

Gjatë fjalimit të tij, ai u zotua se kanë dhënë kontribut në shtetndërtim duke qenë bashkë në momente të caktuara edhe ma partinë e cila sot është në pushtet.

Exit mobile version