Ambasadori i i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog deklaroi sot se e ardhmja e Kosovës është në BE, dhe se nuk ka alternativë tjetër, përveç vazhdimit të ecjes përpara në rrugën evropiane.
Duke shënuar Ditën e Evropës dhe përvjetorin e deklaratës Schuman që krijoi themelet për paqen e qëndrueshme mes kombeve evropiane, ambasadori Szunyog vuri në dukje se pa Ballkanin Perëndimor BE-ja nuk do të jetë e plotë dhe se agresioni rus kundër Ukrainës i ka bërë edhe më të rëndësishme përpjekjet e përbashkëta për integrimet evropiane të rajonit.
“Jam krenar për progresin që ka arritur Kosova me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe shteteve tona anëtare. Përkundër çfarëdolloj sfidë, solidariteti i BE-së nuk do të zvogëlohet kurrë dhe BE-ja do të vazhdojë të jetë partneri më i afërt për Kosovën, siç është tani”, tha Szunyog.
Duke theksuar mbështetjen e BE-së, ai bëri thirrje për përkushtim të vazhdueshëm prej Kosovës për arritjen e progresit në rrugën e saj evropiane.
“Sundimi i ligjit është themeli i një shoqërie të shëndetshme demokratike dhe së bashku me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, duhet të mbetet prioritet për institucionet e Kosovës”, tha Szunyog, duke shtuar se mediat duhet të jenë të lira nga çdo presion dhe të gëzojnë siguri dhe liri të shprehjes.
2022 është viti evropian i rinisë dhe shumica e aktiviteteve të organizuara nga BE-ja në Kosovë për kremtimin e Ditës së Evropës janë të menduara për të rinjtë dhe fokusohen në energjinë e gjelbër, mjedisin dhe digjitalizimin.