UBT News

​“Syri i Popullit”, Llumnica dënohet me katër vjet e gjashtë muaj burgim, Sadri Ramabaja lirohet nga akuza

I akuzuari Avni Llumnica është dënuar me katër vjet e gjashtë muaj burgim, kurse Sadri Ramabaja është liruar nga akuza. Në këtë rast, Llumnica akuzohet për tentim vrasje të Azem Vllasit në bashkëkryerje me tani të ndjerin M.J. Ndërsa, Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar të akuzuarit në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli. Sipas aktgjykimit, Avni Llumnica në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” nga neni 179, paragrafi 1, nënparagrafi 1.8 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Dënimi i shqiptuar me burg do të hyjë në fuqi pasi plotëfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. “Është fjala për pjesën e mbetur sepse të njëjtit do t’i llogaritet koha e qëndrimit në paraburgim nga datat 13 mars 2018 deri më datën 20 prill 2021”, tha gjykatësi Konxheli.

Pala e dëmtuar, Azem Vllasi për pikën 1 të aktakuzës ku i pandehuri Avni Llumnica është shpallur fajtor, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest civil. Sipas nenit 364, pika 1.3 të Kodit të Procedurës Penale, gjykata ka marrë aktgjykim lirues ndaj Sadri Ramabajës, pasi nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale me të cilën akuzohet.

Shpenzimet e procedurës penale lidhur me pikën 2 të aktakuzës bien mbi mjetet buxhetore të gjykatës. Në seancën e fundit, të mbajtur më 8 nëntor, prokuroria dhe pala e dëmtuar kërkuan dënimin e të akuzuarve me pretendime se të gjitha faktet vërtetojnë se veprat penale janë kryer siç përshkruhen në aktakuzë.

Në anën tjetër, të akuzuarit dhe mbrojtësit të tyre kanë kërkuar lirimin dhe shpalljen të pafajshëm me pretendimin se nuk është vërtetuar aktakuza e prokurorisë. Në këtë çështje penale, në cilësinë e të akuzuarit ka qenë edhe Bajrush Konjusha, mirëpo ai pas pranimit të fajësisë për armëmbajtje pa leje, është dënuar me 300 euro gjobë.

Ndryshe, ky rast kishte marrë epilog në janar të vitit 2020, kur Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit, por pas ankesave të ushtruara, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në pikën zero. Duke vepruar konform rekomandimeve të Apelit, PSRK kishte ngritur aktakuzë të re në këtë rast.

Sipas aktakuzës së 27 tetorit 2020, Sadri Ramabaja, Avni Llumnica dhe Bajrush Konjusha janë tashmë të vetmit të akuzuar në këtë rast. Kjo pasi që PSRK hoqi dorë nga vepra penale kundër rendit kushtetues respektivisht nga dyshimi për ekzistimin e një grupi kriminal “Syri i Popullit”.

Me aktakuzën e re, Llumnica akuzohet se në bashkëkryerje me tani të ndjerin M. J. kishin tentuar të privojnë nga jeta, Azem Vllasin. Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar Llumnicën dhe M.J të kryejnë atentat ndaj të dëmtuarit Azem Vllasi, ndërkaq Bajrush Konjusha akuzohej për veprën penale të armëmbajtjes.

Lidhur me akuzën ndaj të ndjerit M.J, sipas vendimit të Apelit, meqenëse i njëjti kishte probleme shëndetësore, rasti i tij ishte deleguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, e cila kishte ushtruar propozim për caktimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik. Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018 kishte ngritur aktakuzën e parë për këtë rast.

Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana akuzoheshin për vepra të ndryshme penale. Sipas kësaj aktakuze, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që tani i ndjeri M.J. të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin, i kishte dhënë ndihmë M.J në kryerjen e veprës penale.

Llumnica thuhet se më 6 mars 2017, e kishte sjellë nga Zvicra në Kosovë tani të ndjerin M.J., e kishte ftuar në shtëpinë e tij, ndërsa një ditë më vonë e kishte dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku ia kishte paguar edhe fjetjen në këtë motel. Ndërsa, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kur i pandehuri, tani i ndjeri M. J. kishte kryer vepër penale ndaj Azem Vllasit, ai bashkë me të akuzuarin Llumnica ishin takuar në qytet dhe pasi që kishin dashur të largoheshin për në shtetin e Zvicrës, në orën 12 të mbrëmjes ishin arrestuar nga Policia e Kosovës.

Me këtë, Llumnica thuhej se kishte kryer veprën penale “hakmarrje në ndihmë” nga neni 396, i Kodit Penal. Llumnica sipas kësaj aktakuze, sa ishte në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan më 16 maj 2017 thuhet se duke përdorur kanosjen dhe forcën ka dhunuar të dëmtuarin N.Z duke e futur në banjo të dhomës së paraburgimit dhe duke e detyruar të njëjtin që t’i bëjë seks oral. Sipas akuzës Llumnica edhe para se të ndodhte rasti disa ditë më parë e kishte ngacmuar seksualisht të dëmtuarin në fjalë. Për këtë, Llumnica thuhet se ka kryer veprën penale “Dhunim” nga neni 230 i Kodit Penal.

Të pandehurit M.J., Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, thuhet se më 15 maj 2017, siç thuhet në aktakuzë, ishin pjesë e organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin “Avni Rrustema” diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që të destabilizonin ose shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të njëjtit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe vrasje ndaj personaliteteve të lartë shtetëror të konsideruar si ish-funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtar të vendit. Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë, etj.

Sipas akuzës, ky grup me qëllim të vrasjes së këtyre personave që i konsideronin si tradhtarë kishin themeluar fondin “Liria e Atdheut” dhe si organizatë “Syri i Popullit” kishin një strukturë të ndarë në bazë të hierarkisë, kishin emra të koduar dhe detyra të ndara thuhet ndër tjera në aktakuzë.

Ndërsa, i pandehuri, tani i ndjerë, M.J. thuhet se kishte tentuar të vriste Azem Vllasin si ish-funksionar i cili sipas tyre ishte vlerësuar si i pari në listën e tradhtarit të vendit. Me këtë, ata sipas prokurorisë kishin kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 144, i Kodit Penal.

I pandehuri Bajrush Konjusha, akuzohej edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi që me rastin e bastisjes në shtëpinë e tij ishte konfiskuar një pistoletë e gazit dhe një pushkë ajrore me diabolla 250 copë. Ndërsa, i ndjeri M.J. nga PSRK-ja, ngarkohej me veprat penale “hakmarrja” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria e akuzonte M.J. që duke qenë në gjendje të paaftësisë mendore për t’i kuptuar dhe kontrolluar veprimet e veta për shkak të sëmundjes nga çrregullimi skizoafektiv-tipi maniak, me karakter të përhershëm, më 13 mars 2017 ka shkuar në banesën e të dëmtuarit Azem Vllasi në Prishtinë, që ta privojë nga jeta si ish-udhëheqës i lartë i LKJ-së dhe ish-udhëheqës i Kosovës, duke e konsideruar të njëjtin si tradhtar për shkak të qëndrimeve të tij lidhur me demonstratat e vitit ‘91 dhe çështjes kombëtare.

Tutje, në aktakuzë thuhet se M.J., fillimisht është interesuar që Vllasin ta angazhojë si avokat në çështje civile, ndërsa ai i ka thënë se nuk merret me çështje civile, duke e sugjeruar të drejtohet te një avokat tjetër dhe pas kontaktit të dytë me të, i akuzuari e ka nxjerrë pistoletën e tipit “Crvena Zastava”, me shurdhues duke ia drejtuar në ballë të dëmtuarit.

Me tej, prokuroria pretendon se Vllasi ia ka kapur pistoletën të ndjerit M.J. dhe e ulur, që ka ndikuar që plumbi ta godet Vllasin në pjesën e majtë të kraharorit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Pas kësaj, J. kishte tentuar edhe njëherë të shkrep me armë në drejtim të viktimës, por iu kishte bllokuar arma dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes, për t’u takuar me të pandehurin Avni Llumnica, për tu arrestuar nga polica në motel “Fontana”, në Veternik.

Sipas aktakuzës, pasi policia kishte bërë një kontroll në motel “Fontana”, te i ndjeri M.J ishte gjetur dhe konfiskuar një pistoletë e tipit “Crvena Zastava”, model 70 e kalibrit 70-65 mm, me shurdhues dhe një karikator me 7 fishekë, që e ka përdorur pa leje.

Për këtë aktakuzë, Gjykata Themelore në Prishtinë, udhëhequr nga kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi – Jashanica dhe gjykatësit Vesel Ismajli dhe Valbona Musliu – Selimaj, kishin marrë aktgjykim me të cilin të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë.

Sadri Ramabaja, M. J., Ragip Sallova, Avni Llumnica, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha dhe Rexhep Topllana, në janar të vitit 2020 ishin shpallur fajtorë për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe vepra të tjera penale.

Avni Llumnica për veprën penale të hakmarrjes është dënuar me 3 vjet burg, për dhunim 1 vit, kurse për shkak të veprave terroriste 10 vjet burg, kurse më pas ndaj tij është shpallur dënim unik prej 12 vjetësh burgim. Sipas aktgjykimit, atij do t’i llogaritej edhe koha në paraburgim dhe i konfiskohet vetura “BMË, me targa te huaja.

Për vepra penale terroriste, Sadri Ramabaja ishte dënuar me 5 vjet burg, kurse për të njëjtën vepër penale, i akuzuari Ragip Sallova ishte dënuar me 4 vjet burg, ndërsa Rexhep Topllana ishte dënuar me 2 vjet. Të ndjerit M.J. për shkak të gjendjes së tij, gjykata i kishte shqiptuar atij trajtim të detyrueshëm psikiatrik në kohëzgjatje prej 10 vjetësh. Behxhet Luzha për moslajmërim të veprës penale ishte dënuar me 2 vjet burg.

Halim Halimi dhe Bajrush Konjusha ishin dënuar me nga 3 vjet burg. Përveç me burg, Konjusha me 300 euro gjobë për armëmbajtje pa leje. Për të akuzuarit Sabit Berisha dhe Lirije Luzha ishte refuzuar aktakuza, pasi që prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja penale. Por me konstatimet e Gjykatës Themelore nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila çështjen e kishte kthyer në rigjykim, madje kishte kërkuar që rasti të kthehet nga shqyrtimi fillestar për shkak të shkeljeve të paevitueshme.

Në aktvendimin e Apelit thuhet se “çështja penale kthehet në rivendosje për t’u proceduar nga shqyrtimi fillestarë dhe pas rregullimit të aktit akuzues”. Ky aktvendim kishte bërë që Prokuroria Speciale të paraqes pas disa muajve një aktakuzë të re dhe me shumë ndryshime. /BetimipërDrejtësi

Exit mobile version