Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla pas aksionit të Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku janë shkatërruar tre laboratorë droge, ka thënë se disa ministra në Serbi dhe zyrtarët e Listës Serbe janë trazuar të dielen që lamë pas.
Sveçla ka publikuar edhe emrat e pronarëve të tre laboratorëve që janë Miljan Delevic, Ivan Slavic, Dusan Slavic e Nikola Filgjokic, e të cilët sipas ministrit Sveçla, janë të përfshirë në sulmet ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës, në ngritjen e barrikadave e në kërcënimet e sulmet ndaj serbëve që kanë refuzuar të bashkëpunojnë me ta.
“Qenkan trazuar këtë të diel Lista Serbe dhe Petkovic me disa reagime. Çështja në fjalë është e thjeshtë. Me laboratorë droge, trafikantë e kriminelë si mjete politike, fasada e rrejshme nuk zgjatë më shumë se deri te aksioni i radhës i Policisë së Kosovës. 8 laboratorë droge janë shkatërruar brenda mandatit tonë, vetëm sot janë shkatërruar 3 sosh. Pronarët e tyre: Miljan Delevic, Ivan Slavic, Dusan Slavic e Nikola Filgjokic, janë të përfshirë në sulmet ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës, në ngritjen e barrikadave e në kërcënimet e sulmet ndaj serbëve që kanë refuzuar të bashkëpunojnë me ta. Pas sulmit ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës këta janë vizituar nga Ministri i Mbrojtjes i Serbisë Milos Vucevic, nga Petkovic ndërsa mbështeteshin e mbroheshin nga Lista Serbe e Milan Radojciq. Ministrat e Serbisë të përfshirë në këto instrumentalizime me banda kriminale sonte do të dëshironin mos të ekzistonin këto foto e video. Por ato ekzistojnë dhe janë dëshmi e fortë se çfarë fshihet pas “politikës” së tyre”, ka shkruar ai në Facebook.