Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka pritur në takim tre policët të cilët ishin rrëmbyer nga Serbia. Sveçla ka thënë se ky rast është i montuar dhe Serbia duhet të gjykohet për agresionin e saj.
“Që të tre zyrtarëve policorë në seancën e sotme gjyqësore në Kralevë iu është konfirmuar aktakuza dhe janë liruar me procedurë të rregullt, çka nënkupton se ndaj të njëjtëve do të vijojnë thirrjet dhe përndjekjet nga Serbia. Gjendja e tyre shëndetësore fizike është relativisht e mirë por me vullnet të fortë dhe kurajë për të vazhduar detyrën në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë”, ka bërë e ditur në komunikatën e MPB-së.
Tre policëve të cilët u liruan sot, Sveçla u ka ofruar mbështetjen e gjitha institucioneve të Kosovës.
“Ministri Sveçla shprehi mbështetjen e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës duke theksuar përkushtimin që ky rast i paprecedentë i Serbisë të mos kalojë pa përgjegjësi. Ky rast i montuar ndaj pjesëtarëve të Policisë duhet të mbyllet pa kushte dhe në tërësi. Serbia duhet të gjykohet për agresionin e saj”, është theksuar në komunikatë.
Policët kufitarë, Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shema, ishin rrëmbyer nga forcat serbe në ditën e 14 qershorit, derisa ishin në detyrë zyrtare brenda territorit të vendit tonë.