Gjykata Supreme e Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e kandidatit për kryetar të Skenderajt, Bekim Jasharit ndaj Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Në vendimin e Supremes thuhet se ankesën e subjektit politik Lista e Pavarur e Bekim Jasharit në Skenderaj hidhet si e palejuar.
“Refuzohet si e pabazuar ankesa e subjektit politik Lista e Pavarur Bekim Jashari, me seli në Skenderaj, e paraqitur kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa Anr.673/2021, nr.674/2021, Anr.675/2021, Anr.676/2021, Anr.678/2021, Anr.679/2021 të gjithë të datës 20.10,2021, Anr.671/2021, Anr.672/2021, dhe 680/2021. II. Ankesa e Subjektit Politik Lista e Pavarur Bekim Jashari, me seli në Skenderaj kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa A.nr.637/2021 e datës 18.10.2021, hidhet si e palejuar”, thuhet në vendimin e Supremes.
Tutje thuhet edhe se nuk ka pas bazë të mjaftueshme lidhur me dyshimet të prezencës së anëtarëve të PDK-së nëpër qendra të votimit.
“Pretendimet e parashtruesit të ankesës lidhur me prezencën e anëtarëve të PDK-së nëpër qendrat e votimit nuk japin bazë të mjaftueshme për të dyshuar në rregullsinë e procesin zgjedhor, nga fakti se nuk ka pasur vërejtje nga vëzhguesit dhe monitoruesit në vendvotime çka do të ndikonte në përgjithësi në procesin zgjedhor në Skenderaj. Pretendimet e parashtruesit të ankesë se në vendvotimin 2114B/04D ka pasur fotografim, nuk qëndrojnë se nga raportet e Policisë së Kosovës të dërguara në PZAP, konstatohet se nuk ka pasur asnjë rast të iniciuar lidhur me fotografimin në qendrat e votimit, prandaj pretendimet në këtë drejtim janë të pabazuara. Ndërsa ankesa lidhur me vendvotimin 1122B/01D është e pabazuar nga fakti se nga PZAP-i është vërtetuar se e njëjta nuk gjendet në Skenderaj por në Mitrovicë. Në një gjendje të tillë faktike, Gjykata Supreme e Kosovës pranon si të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-it, të marrë lidhur me refuzimin e apelit, të paraqitur nga i lartë përmenduri, ngase, në mungesë të provave dhe dëshmive të cilat paraqitësi i apelit ka pas për detyrë t’i prezantojë së bashku me apelin, nuk mund të merret vendim aprovues për një apel të tillë”, thuhet në vendim.