Gjykata Supreme ka refuzuar ankesat e partive politike jo serbe dhe Vetëvendosjes lidhur me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje, Romani Iniciativa, Partia Liberale Egjiptiane, Partia e Ashkalive për Integrim, Lëvizja Përparimtare e Romeve të Kosovës, subjektit të Adrijana Hodziq, Ujedinjena Zajednices dhe subjektit Social Demokratska-UNIJA SDU, Gjykata Supreme i ka hedhur poshtë si të pabazuara.
“Ankesa e subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Anr.761/2021, lidhur me kërkesën për numërimin e 20 mijë e 550 pakove me fletëvotime të arritura me postë nga votuesit jashtë Kosovës, është refuzuar si e pabazuar përmes aktgjykimit AA.nr.38/2021”, njoftoi Supremja të premten./UBTNews