Sot është Dita Botërore e Autizmit e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe edukimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së tyre.
Dita Botërore e Autizmit është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me rezolutën “62/139” në vitin 2007, më tepër si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm.
Kjo ditë është vendosur më 2 prill dhe është përfshirë në Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, e cila premton që askush të mos mbetet pas dore.
Rezoluta për Ditën Botërore të Autizmit përmban: (1) vendosjen e 2 prillit si Dita Botërore e Autizmit, (2) pjesëmarrjen e shteteve anëtare të OKB-së, (3) rritjen e ndërgjegjësimit për autizmin në të gjitha nivelet e shoqërisë, (4) shpërndarjen e këtij mesazhi në të gjitha organet e tjera të OKB.
Autizmi është një çrregullim i zhvillimit, i karakterizuar nga dëmtimi i ndërveprimit social dhe i komunikimit, si dhe nga sjellje të kufizuara dhe përsëritëse. Këto shenja në shumicën e rasteve fillojnë përpara se fëmija të bëhet tre vjeç. Megjithëse shumë fëmijë autikë nuk mund të jetojnë të pavarur në moshë të rritur, shumë prej tyre ia dalin me sukses në këtë aspekt. Tashmë është zhvilluar një kulturë, e cila synon që autizmi të konsiderohet si një ndryshim dhe jo çrregullim.
Edhe në Kosovë shënohet Dita Botërore e ndërgjegjësimit mbi Autizmin, për cka do të mbahen disa aktivitete.
Në orën 13:00, u.d Presidenti i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bashkë me kryeministrin Albin Kurti, dhe kandidaten për presidente, Vjosa Osmani, me zëvendëskryeministren Emilija Rexhepi si dhe me ministren për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, Arbërie Nagavci, në Ditën Botërore të Autizmit, do të presin në takim udhëheqësit e shoqatave të autizmit në Kosovë, duke përfshirë prindër dhe fëmijë me autizëm.