UBT News

​Si ndikon punësimi i nënave te fëmijët e tyre?

Në vitin 2015, rezultatet e një studimi zbuluan se vajzat e nënave të punësuara shpesh performojnë më mirë në karrierën e tyre sesa vajzat e nënave që qëndrojnë në shtëpi. Studimi gjithashtu tregon se fëmijët e nënave që punojnë janë po aq të lumtur në moshë madhore sa fëmijët e nënave që qëndruan në shtëpi.

Profesoresha e Shkollës së Biznesit të Harvardit, Kathleen McGinn, shpreson se kjo u ndihmon disa nënave të ndihen të shfajësuara pasi që ato shpesh brengosen se për shkak të punës nuk po mund të kalojnë shumë kohë me familjen.

“Njerëzit ende besojnë se kur nënat punësohen është disi e dëmshme për fëmijët e tyre”, është shprehur profesoresha McGinn.

Megjithatë ajo thekson se gratë zgjedhin të punojnë pasi që kjo është një zgjedhje financiare dhe personale. Sipas saj gratë duhet ta bëjnë këtë zgjedhje bazuar nëse duan apo kanë nevojë të punojnë, jo bazuar në faktin nëse po i dëmtojnë fëmijët e tyre – sepse nuk janë duke i dëmtuar.

“Kështu që rezultatet që tregojnë se punësimi i nënës ndikon në lumturinë e fëmijëve në moshë madhore është me të vërtetë e rëndësishme”, ka theksuar tutje ajo.

Hulumtimi zbuloi se vajzat e rritura, nënat e të cilave punonin jashtë shtëpisë, kanë më shumë gjasa të punojnë vetë, të kenë më shumë përgjegjësi mbikëqyrëse dhe të fitojnë paga më të larta sesa gratë nënat e të cilave qëndronin në shtëpi gjatë gjithë kohës.

Pasi u publikuan gjetjet paraprake, McGinn, Mayra Ruiz Castro nga Universiteti Kingston dhe Elizabeth Long Lingo nga Instituti Politeknik Ëorcester shtuan një grup të dytë të dhënash ndërkombëtare në studimin e tyre. Ato realizuan dy anketa ku kanë qenë të përfshirë më shumë se 100,000 burra dhe gra në 29 vende të ndryshme.

Disa kritikë vunë në dyshim nëse rezultatet nuk kanë qenë të lidhura me atë se nëse nënat punojnë, por që rezultatet kishin të bënin me nivelin e arsimimit të nënave. Pas hulumtimi për arsimimin e nënës, rezultatet përfundimtare treguan ende se përvoja e punës e nënës është e lidhur fort me performancën e ardhshme të punës së vajzës së saj.

Krahasuar me gratë, nënat e të cilave qëndronin në shtëpi me kohë të plotë, gratë e rritura nga një nënë e punësuar kanë 1.21 herë më shumë gjasa për t’u punësuar; 1.29 herë më shumë gjasa për të mbikëqyrur të tjerët në punë; dhe ata shpenzojnë 44 minuta shtesë në punët e tyre çdo javë.

Ata gjithashtu fitojnë më shumë para. Ndër gratë që iu përgjigjën sondazhit në Shtetet e Bashkuara në vitin 2012, vajzat e punësuara të nënave të punësuara fituan mesatarisht 1880 dollarë më shumë në vit sesa vajzat e punësuara të nënave që qëndronin në shtëpi gjatë gjithë kohës.

Po djemtë e nënave të punësuara?

Vetëm vajzat e rritura – jo djemtë – e shohin karrierën e tyre të ndikuar nga nëse nënat e tyre punojnë jashtë shtëpisë. Mund të mos ndikojë në zgjedhjet e punës së djemve thjesht sepse burrat priren të punësohen, dhe gjithashtu, siç tregojnë studime të tjera, profesionet dhe të ardhurat e djemve lidhen ngushtë me punësimin e baballarëve të tyre, shpjegon McGinn.

Sa i përket studimit, djemtë mund të ndikohen nga nënat e tyre që punojnë. Ata shpenzojnë 50 minuta shtesë çdo javë duke u kujdesur për anëtarët e familjes.

Djemtë ndikohen në mënyra të tjera kur nënat e tyre punojnë. Djemtë e nënave të punësuara mbajnë qëndrime dukshëm më të barabarta gjinore – madje edhe më shumë se vajzat e nënave që qëndrojnë në shtëpi. Kjo gjetje e habiti McGinn-in sepse tregon se ndikimi i punësimit të nënës mund të tejkalojë dallimet seksuale të mirëdokumentuara kur ai ka të bëjë me formimin e mendësisë së njerëzve për rolet e duhura për burrat dhe gratë.

“Bijtë e nënave të punësuara gjithashtu priren të zgjedhin gra që janë të punësuara, dhe ata kanë qëndrime më të barabarta gjinore për gratë dhe burrat gjithashtu në vendin e punës” thotë McGinn.

“Pra, të kesh një nënë të punësuar ndikon në zgjedhjet që po bëjnë këta djem”, shton tutje ajo.

Sipas studimit nënat e punësuara ndikojnë në formësimin e qëndrimeve gjinore të vajzave të tyre dhe ofrojnë shembuj që vajzat i imitojnë. Kur këto vajza rriten, ato shpesh ndjekin gjurmët e nënave të tyre që punojnë.

“Nëse në të vërtetë po vëzhgoni një nënë të punësuar që menaxhon një jetë komplekse dhe përballon kërkesa të shumta – një punë, një familje, ju e shihni se mund t’ia dilni. Gjithçka ka të bëjë me atë se në çka jeni të ekspozuar si fëmijë” thotë McGinn

Gjithashtu në planin e brendshëm, vajzat e nënave të punësuara shpenzojnë rreth një orë më pak për punët e shtëpisë në krahasim me fëmijët e nënave që qëndrojnë në shtëpi. Ndërkohë, kur të dy vajzat dhe djemtë u pyetën për kënaqësinë e tyre të përgjithshme nga jeta, fëmijët e rritur të nënave të punësuara raportuan se ishin po aq të lumtur sa fëmijët e rritur të nënave që nuk punonin jashtë shtëpisë.

Hulumtimi zbuloi gjetje të tjera interesante

Hulumtimi ka treguar se të djemtë dhe vajzat e nënave të punësuara kanë dukshëm më shumë arsim sesa fëmijët e nënave që nuk janë të punësuara. Shkalla e punësimit të vajzave të rritura ndikohet nga punësimi i nënave të tyre, pavarësisht se në çfarë pozite punonin nënat. Por vetëm se gratë, nënat e të cilave punonin punë me pozicione më të larta (të cilat kërkojnë arsimim më të lartë), kanë më shumë gjasa të kenë poste mbikëqyrëse sesa gratë nënat e të cilave nuk ishin të punësuara.

Lehtësimi i fajit

Kërkimet e mëparshme kanë treguar se fëmijët e vegjël dhe adoleshentët bëjnë mirë kur nënat e tyre punojnë, McGinn shpreson që kjo pikëpamje afatgjatë në moshën madhore të sigurojë siguri për nënat e punësuara që ndihen në faj kur puthin fëmijët e tyre kur i dërgojnë në kopsht për të shkuar pastaj në punë.

“Gratë janë të mësuar që të besojnë se nënat duhet të qëndrojnë në shtëpi me fëmijët e tyre, kështu që kur ndahen nga fëmijët çdo ditë për punë, mund të jetë e dhimbshme,” thotë ajo. “Ndërsa ne gradualisht e kuptojmë se fëmijët tanë nuk po vuajnë, shpresoj që faji të largohet”, ka shtuar ajo./AkademiPune

Exit mobile version