UBT News

​Shtime: Arrestohet 15-vjeçari, lëndoi rëndë një tjetër

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Shtime, i dënuar dyshohet se ka lënduar rëndë një tjetër me një mjet të mprehtë.

Në një komunikatë për media bëhet e ditur se të martën, Policia fillimisht kishte marrë informacion se në rrugën “Tahir Sinani” në Shtime është një rast i lëndimit trupor.

“Në lidhje me këtë policia e stacionit në Shtime i ka marrë veprimet e nevojshme dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes. Nga informatat e para është mësuar se një person S.G (M/K) i moshës 21-vjeçar ka pësuar lëndime të rënda trupore. Dyshohet se lëndimet i janë shkaktuar nga një person tjetër me një mjet të mprehtë, i cili më pas ka ikur nga vendi i ngjarjes”, thuhet po aty.

Bëhet e ditur se për ndihmë mjekësore, fillimisht viktima është dërguar në Qendrën Emergjente në Shtime, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe njësia e hetimeve të stacionit, e cila nën autorizim të prokurorit kujdestar kishte nisur hetimet.

“Pas një pune intensive hetimore të policëve hetues, grumbullimit të infomacioneve në terren, hetuesit kanë arritur që të identifikojnë të dyshuarin dhe vendin e ndodhjes së tij, të cilin më pas e kanë arrestuar. I dyshuari A.A ( M/K) i moshës 15-vjeçare është shoqëruar në stacionin e policisë në Shtime dhe pas intervistimit nga policët hetues, në prezencë edhe të avokatit mbrojtës me detyrë zyrtare dhe prindit të tij, me vendim të prokurorit të rastit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i njëjti është dërguar në mbajtje për 24 orë, për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa rasti është cilësuar ‘Lëndim i rëndë trupor’”, thuhet në komunikatë. 

Exit mobile version