Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bashkë me ministrin e Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, Ulsi Manja pas takimit shprehën gatishmërinë e të dyja vendeve për të rritur bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, sidomos në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në mes dy shteteve.
Ministrja Haxhiu tha po ashtu se homologun e saj shqiptar e ka njoftuar edhe me reformat në drejtësi në Kosovë. Ajo tha se kanë vullnetin e hekurt për të implementuar të gjitha marrëveshjet e përbashkëta.
Kurse, homologu i saj shqiptar, Ulsi Manja shprehu gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimit dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të mbledhjes së dy qeverive. Ai foli edhe rreth dakordimeve dhe marrëveshjes që priten të finalizohen edhe në aspektin e shërbimit sprovues, mundësisë për avokatët, ndërmjetësues për të punuar në të dyja vendet.
I pyetur rreth raportit të Dick Martit, ai tha se qëndron në linjë të njëjtë me atë që ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe rezolutën që ka dal nga Kuvendi i Shqipërisë për këtë raport.
E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e pyetur për marrëveshjen me Danimarkën për qelitë me qera tha se brenda një muaji kjo marrëveshje do të shkojnë për ratifikim në Kuvend të Kosovës. Ajo tha se nuk kanë nisur punimet në qelitë e burgut të Gjilanit pasi kjo duhet të ndodhë pas ratifikimit të kësaj marrëveshje në Kuvend, derisa tha se deri më tani ministrat e Ekonomisë të Kosovës dhe Danimarkës kanë diskutuar lidhur me mbështetjen e energjisë së gjelbërt dhe se tani këto diskutime kanë përfunduar.