Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga kryesuesi Jetish Maloku, ka mbajtur takimin e radhës, ku është marrë vendim për shpalljen e konkursit për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit.
Sipas KPK-së, ky vendim është marrë duke u bazuar në rregulloren për emërimin e kryeprokurorit të shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Republikës së Kosovës, e cila përcakton që konkursi shpallet së paku 90 ditë para skadimit të mandatit të kryeprokurorit aktual të shtetit.
“Mandati 7-vjeçar i kryeprokurorit aktual të shtetit, Aleksandër Lumezi, do të përfundojë më 21 prill 2022. KPK-ja ka themeluar edhe panelin vlerësues për poentimin e kandidatëve që aplikojnë për pozitën e kryeprokurorit të shtetit. Anëtarë të këtij paneli, përveç kryesuesit të këshillit, Jetish Maloku, që, sipas detyrës zyrtare, është anëtar dhe kryesues i panelit, përmes shortit u përzgjodhën edhe anëtarët e KPK-së, Ariana Shajkovci, Bedrije Syla-Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radoviq. Ndërsa, anëtarë të komisionit për rishqyrtim të kundërshtimeve të kandidatëve për kryeprokuror të shtetit, pas tërheqjes së shortit, u përzgjodhën anëtarët e KPK-së, Veton Shabani, Ardian Hajdaraj dhe Agron Beka. Konkursi për kryeprokuror të shtetit do të shpallet më 17 janar 2022 dhe do të jetë i hapur 15 ditë nga dita e shpalljes. Gjithashtu, këshilli ka themeluar katër panele hetimore për trajtimin e rasteve disiplinore ndaj një prokurori të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, një prokurori të Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe ndaj dy prokurorëve të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës”, thuhet në njoftim.
Në fund të takimit janë mbajtur dy seanca dëgjimore disiplinore për rastin e një prokurori në Prokurorinë Themelore të Ferizajt dhe një prokurori në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, kurse vendimet përkatëse do të bëhen publike siç parashihet me ligj.