Organizatat e shoqërisë civile kanë nënshkruar sot memorandumin e bashkëpunimit për themelimin e “Grupit të Koalicionit 27”, që do të monitorojë dhe kontribuojë në procesin e harmonizimit të ligjeve të Kosovës me ato të BE-së në fushën e ndryshimeve klimatike.
Krenare Salihu nga Organizata Botërore për ruajtje të Natyrës (WWF), tha se një organizim i tillë është shumë i rëndësishëm pasi një raportim i tillë do t’i ndihmojë shumë Kosovës për përmirësimin e ndryshimeve klimatike.
“Ne do të bëjmë raportime vjetore, ku do t’i prekim disa nënkapituj të kapitullit 27 për ndryshimet klimatike. Në Bashkimin Evropian do ta japim një pasqyrë të qartë për të gjitha ato që janë në kapitullin 27”, tha ajo.
Kurse, Dardan Abazi nga INDEP, tha se në këtë mënyrë janë angazhuar për zhvillim të qëndrueshëm.
“Ky grup është një përpjekje e përbashkët e shoqërisë civile për të përçuar një zë të fuqishëm tek institucionet, në mënyrë që kjo të shërbejë si një parapërgatitje kur të vijë koha që Kosova të hap edhe kapituj të tjerë. Dera do të jetë e hapur edhe për organizata tjera”, u shpreh ai.