Tetë vetë u vranë dhe 14 u plagosën kur një sulmues qëlloi mbi ta me një armë automatike në një fshat afër Mlladenovacit, rreth 60 kilometra larg Beogradit, në Serbi.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë përmes një komunikate ka konfirmuar se sulmuesi i dyshuar U. B. (i lindur në vitin 2002) është arrestuar në afërsi të Kragujevcit, rreth 60 kilometra nga Mlladenovci.
Ai dyshohet se mbrëmë ka vrarë tetë persona dhe ka plagosur 14 me armë zjarri, thuhet në deklaratën e MPB-së së Serbisë për BBC.
Në kërkim morën pjesë rreth 600 efektivë policie, si dhe njësiti i helikopterëve të MPB-së dhe ai anti-terrorit.
Gjatë natës dhe mëngjesit, forca të forta policore mbyllën të gjitha daljet nga Mlladenovci në drejtim të Beogradit në ndjekje të sulmuesit, i cili, siç raporton RTS, qëlloi mbi viktimat nga një automjet në lëvizje.
Sulmuesi fillimisht qëlloi në fshatin Dubona, pastaj në Orashjen e vogël dhe fshatin Shepshin – të gjitha afër Mlladenovacit.
Në Dubonë ka vrarë një polic të ri dhe motrën e tij, duke qëlluar rastësisht në oborrin e shkollës, ku ka plagosur disa persona.
Sulmuesi është nga fshati Dubona e poshtme. Sipas informacioneve jozyrtare, sulmuesi ka qenë i vetëm në automjet, ndonëse gjatë natës dolën informacione se ai nuk e ka kryer i vetëm këtë krim.
Të shtënat fatale ndodhën më pak se 48 orë pas një tragjedie të paprecedentë në Serbi, kur një nxënës 13-vjeçar vrau tetë nxënës dhe një roje në shkollën Vadimir Ribnikar në Beograd të mërkurën në mëngjes.
Ky është krimi i dytë i madh në zonën e Mlladenovcit në 10 vitet e fundit.
Në prill të vitit 2013, veterani i luftës, Ljubisha Bogdanoviq (60) vrau 13 persona, ndër të cilët plagosi djalin, nënën dhe gruan e tij dhe më pas vazhdoi të qëllonte fqinjët në fshatin Ivanqë e madhe afër Mlladenovacit.
Mes të vrarëve ishte edhe një fëmijë dyvjeçar. Në fund ai qëlloi veten me plumb në mjekër dhe dy ditë më vonë vdiq në Qendrën Emergjente.