UBT News

​Shërbyesit civilë kundërshtojnë shkarkimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës

Sindikata e Shërbimit Civil dhe ajo e Administratës Publike kanë kundërshtuar iniciativën e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike për shkarkimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës.

Madje për këtë thonë se janë të gatshëm që t’iu drejtohen instancave më të larta të drejtësisë ndërkombëtare. Në Ditën ndërkombëtare të Shërbyesve Civil ata kanë kërkuar me urgjencë procedimin e Ligjit të Pagave.

Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës, Mursel Zymeri, ka shprehur shqetësimin për iniciativën për shkarkimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës, duke i bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani që të mos lejojë veprime të tilla.

“Nuk pajtohemi në asnjë mënyrë dhe kjo çështje nëse vazhdon nga ana e këtij komisioni dhe nga ana e Parlamentit të Kosovës nëse aprovohet, ne do të kërkojmë nga instancat më të larta të mundshme, qoftë edhe nga jashtë vendit që ky veprim të mos merret nga ana e Kuvendit të Kosovës. I bëj ftesë kryetarit të Kuvendit të Kosovës ose presidentes së vendit, zonja Vjosa Osmani, si gardiane e Kushtetutës që të vepron me urgjencë dhe të mos lejoj veprime të tilla ose të mos lejojë ndërhyrjen në sistemin e drejtësisë”, ka thënë ai.

Zymeri ka shtuar se e vetmja mbështetje në mbrojtjen e të drejtave të shërbyesve civil ka qenë Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës. Ai ka theksuar se viti 2021 është hera e parë që qeveria nuk e ndërmerr asnjë veprim për ta shënuar këtë ditë.

“Pas kësaj konference do t’i drejtohem kryetarit të Kuvendit të Kosovës me kërkesën për takim dhe kërkesën ultimative për heqjen nga rendi i ditës i kësaj pike, që ju duket se gjithçka është në rregull vetëm kjo mbetur pa u shqyrtuar dhe trajtuar. Çështja e bordeve që po përflitet, është çështje tjetër që neve nuk na takon. Por, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës është interes, cenim i drejtpërdrejtë i të drejtave tona. Dhe kjo në një mënyrë apo tjetër është një selam që qeveria ia bën shërbyesve civil. Që bëjë çka dua dhe nuk keni çfarë të bëni”, tha ai.

Kryetari i Sindikatës së Administratës Publike, Ali Gashi ka përmendur kërkesat e shërbyesve civilë, duke theksuar se është me urgjencë procedimi i Ligjit të Pagave.

“Ne si dy sindikata kemi vlerësuar si nevojë të domosdoshme dhe si kërkesë imediate, emergjente është hartimi dhe procedimi i Ligjit të Pagave nga ana e qeverive, e me theks të veçantë në këtë ditë i kërkojmë qeverisë që me urgjencë të procedojë ligjin në Parlament, pasi është absurditet të luhet me shërbyesit civilë. Kërkesa urgjente e të dy sindikatave është që ky ligj të procedohet sa më parë”, tha ai.

Ai ka paralajmëruar se në rast se kërkesat e tyre hasin në vesh të shurdhër, atëherë do të ndërmarrin masa sindikale.

“Larg duart nga shërbimi civil, sepse do të ballafaqoheni me fuqinë e sindikatave, do të ballafaqoheni me fuqinë tonë dhe besoni që nuk është fuqi e vogël. Mos na vëni në pozicione të padëshirueshme, por në qoftë se na vëni ne do të reagojmë”, ka deklaruar ai.

Për këtë ka bërë të ditur se kanë pasur takime, e kanë dërguar edhe kërkesë te kryeministri, por që nuk kanë marrë përgjigje.

Të dy sindikatat kanë kërkuar edhe tri paga shtesë në rastin e pensionimit të shërbyesve civilë, njohjen e përvojës së punës gjatë viteve të ’90-a, aplikimin e sigurimit shëndetësor dhe nënshkrimin e kontratave kolektive e sektoriale.

Exit mobile version