Sekretari i Shtetit, Anthony Blinken, deklaroi sot se Uashingtoni po kërkon përgjigje nga zyrtarët e Kazakistanit mbi angazhimin e forcave të sigurisë të udhëhequra nga Rusia për të zgjidhur trazirat e brendshme.
“Kemi pyetje se pse e ftuan këtë organizatë në të cilën dominon Rusia”, tha Blinken në një intervistë për emisionin “State of the Nation” në CNN.
Ai beson se Kazakistani duhet t’i përgjigjet protestave në mënyrë paqësore.
Me ftesë të presidentit Kasim Jomart Tokayev, forcat e CSTO-së të udhëhequra nga Rusia mbërritën në Kazakistan dhe Tokayev lëshoi një urdhër për ushtrinë që të qëllonte, siç tha ai, “terroristët” pa paralajmërim. Blinken tha se urdhri për të qëlluar protestuesit ishte i gabuar dhe duhet të anulohej.
Autoritetet e Kazakistanit njoftuan sot se kanë stabilizuar situatën në vend pas protestave në të cilat sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë mbetën të vrarë 164 persona.
Shkak i protestave ishte rritja e çmimit të karburanteve, e më pas ato u përshkallëzuan në trazira dhe përplasje me forcat e sigurisë.