UBT News

​Shala thotë se Qeveria shpalli investitor strategjik kompaninë që financoi LVV-në, përgjigjet ministrja Hajdari

Mes përplasjeve e akuzave pozitë dhe opozitë është shqyrtuar vendimi i Qeverisë për aprovimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “Kosmonte foods Sh.P.K”.

Në Komisionin për Ekonomi, kryetari i këtij komisioni, Ferat Shala ka thënë se kjo lëndë ka vërejtje të shumta, siç tha ai njëra prej tyre është ajo për uzurpimin e pronës së Agjencisë së Pyjeve nga kompania në fjalë.

Gjatë mbledhjes së këtij Komisioni, deputeti Shala e ka quajtur investitorin në fjalë uzurpator.

Madje Shala tha se kjo lëndë më shumë është për ta dërguar në prokurori se sa të shpallet investitor strategjik nga Qeveria. Sipas Shalës “Kosmonte Foods” është financues i Vetëvendosjes, andaj Qeveria i ktheu borxhin.

“Nga tetë anëtarë të Grupit operacional, vetëm katër prej tyre e kanë nënshkruar lëndën në fjalë. Si mund ta procesojë qeveria një lëndë të tillë, që ka mangësi të shumta juridike? Investitori është në kontest gjyqësor. Kjo lëndë për mua më shumë është për prokurori. Kjo lëndë në fjalë duhet të kthehet në qeveri për kompletim, mos me vazhduar kështu. Kjo kompani është financues i VV-së”, tha ai.

Ministrja Hajdari për këtë ka thënë se kjo qeveri është sfiduar me shumë aplikacione për investitorë, për shkak të legjislacionit në fuqi.

Ndërsa sa i përket akuzës së deputeti Shala, Hajdari tha se kjo kompani mund të jetë më shumë financuese e subjektit politik “Nisma”.

“Pas verifikimit për 6 muaj, kompania nuk ka asnjë rast të hapur në Gjykatë. Pra, as me Agjencinë e Pyjeve. Por, nëse ju mendoni se ka shkelje ligjore edhe mund të mos vazhdojmë. Mundet me qenë financues i Nismës”, tha ajo.

Në mbrojtje të kësaj kompanie ka dalë, deputeti nga LVV, Armend Muja, i cili ka thënë se në bazë të kontratave, “Kosmonte Foods” është legal, jo ilegal.

“Ju kisha lutur mos iu gjuani njerëzve në qafë, meqë ka edhe media këtu. Ju kisha lutur mos me quajtur këtë kompani zaptues”, tha ai, duke shtuar se është projekt me rëndësi për rrethinën në atë pjesë.

Sa i përket kësaj çështjeje, deputeti nga AAK, Pal Lekaj tha se ka mangësi të theksuara për ta shpallur këtë kompani si investitor strategjik.

Në Komisionin për Ekonomi, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka arsyetuar para deputetëve Projektligjin për topografitë e gjysmëpërçuesve, e cila theksoi se është i një rëndësie të veçantë, derisa ka kërkuar miratimin e tij shpejt.

Ministrja Hajdari u shpreh po ashtu se projektligji në fjalë është obligim edhe me marrëveshjen e MSA-që të përmbushet edhe kjo kërkesë.

“E shohim si detyrim për miratim të shpejt nga Kuvendi, pasi që kërkohet edhe me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit”, tha ajo.

Komisioni ka votuar në parim Projektligjin për topografitë e gjysmëpërçuesve.

Exit mobile version