Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj duke komentuar deklaratat e djeshme të tij dhe reagimin e Anton Qunit lidhur me drejtuesit e ri të kësaj partie, ka thënë se nuk janë përplasje, por pjesë të demokracisë së brendshme.
Ai pasi është betuar si deputet i legjislaturës së tetë, ka thënë se në LDK lejohen mendimet ndryshe.
“Absolutisht kjo është pjesë e demokracisë së brendshme që LDK ka mendime të ndryshme, shprehim mendime, vlerësime për situata të caktuara”, tha ai.
Selmanaj i pyetur nëse do ta votojnë Vjosa Osmnin për presidente, ka thënë se do të vendosin kur të vjen koha për atë çështje.
Deputeti i sapozgjedhur i LDK-së dhe zëvendëskryeministri në detyrë, Driton Selmanaj, dje ka thënë se drejtuesit e ri të LDK-së po bëjnë “turr dhe vrap” për ta takuar Vjosa Osmanin. Kjo sipas tij, është përpjekje për ta dëmtuar edhe më shumë LDK-në.
Atij i ka reaguar nënkryetari i LDK-së, Anton Quni, duke e mbrojtur kryetarin e ri të LDK-së, Lumir Abdixhiku.