Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ia dërgoi një letër presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, përmes së cilës i kërkoi Serbisë të përmbyllë marrëveshjen me Kosovën me njohje reciproke.
“SHBA-ja është e përkushtuar për marrëdhëniet tona afatgjate. Ne ndajmë vizionin e një Serbie demokratike, stabile, prosperuese dhe demokratike në hapin drejt anëtarësimit në BE. Qëllimi afatgjatë i SHBA-së ka qenë ta shoh Serbinë dhe Kosovën të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse e përqendruar në njohjen reciproke”, shkruan Blinken në letrën dërguar Vuçiqit.
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti duke komentuar kërkesën e Blinkenit ndaj Serbisë, ka deklaruar se këta janë miqtë e vërtetë të Kosovës.
“Duhet ta ruajmë miqësinë speciale me SHBA-të. Presidenti Rugova, një burrështetas vizionar e ka thënë këtë para 30 vitesh.Dialogu është ri-filluar mbi parime të qarta në Qeverinë e kaluar – dialog vetëm për marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke, pa u cenuar karakteri unitar i shtetit të Kosovës dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës. Mbi këto parime kemi fituar mbështetjen e partnerëve tanë për këtë proces”, shkroi Hoti në Facebook./UBTNews