Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka refuzuar sërish shqetësimet se vendimi i fundit i Berlinit për të furnizuar Ukrainën me tanket e saj “Leopard”, i cili erdhi pas shumë hezitimesh, mund ta bëjnë Gjermaninë një palë aktive në konfliktin me Rusinë.
“Ne kemi arsyetuar me kujdes çdo dërgesë armësh në Ukrainë, duke i koordinuar ato me aleatët tanë, para së gjithash me Shtetet e Bashkuara te Amerikës”, tha Scholz për “Bild”.
“Kjo qasje e përbashkët parandalon përshkallëzimin e luftës”, tha kancelari gjerman, i cili është përballur me shumë kritika për hezitimin e tij fillestar për të dërguar tanket “Leopard”.
Edhe në bisedat telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, kancelari gjerman Scholz e bëri “shumë të qartë” se Rusia mban përgjegjësinë e vetme për luftën në Ukrainë, të cilën Moska e filloi pothuajse një vit më parë.
Putin akuzoi te enjten Gjermaninë se ka lejuar veten të tërhiqet në një luftë tjetër me Rusinë.
“Është e paimagjinueshme, por fakt, ne po kërcënohemi edhe një herë me tanket gjermane “Leopard”, tha Putin.