I dërguari special i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, sulmin e djeshëm ndaj Policisë së Kosovës në veri, e ka quajtur kriminal dhe terrorist.
Sarrazin pas takimit të zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, theksoi se të dielën është parë një situatë e tmerrshme në veri. Ai gjatë qëndrimit në Prishtinë tha se ka afirmuar qëndrimin e qartë të Gjermanisë në krah të Kosovës.
“Është shumë e rëndësishme për mua të jem sot në Prishtinë, në Kosovë. Gjatë fundjavës, dje, pamë një situatë të tmerrshme dhe dua të them shumë qartë, ne po e dënojmë fuqishëm këtë sulm kriminal dhe terrorist ndaj Policisë së Kosovës dhe jemi këtu për të shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet tona, si për familjen dhe fëmijët e policëve të Policisë së Kosovës, ashtu edhe mbarë vendit të Kosovës. Ne jemi këtu në solidaritet dhe jemi në anën tuaj në këtë situatë”, theksoi ai.
Ai ka thënë se për të zgjidhur çështjen e sigurisë në veri, duhet të ketë një dialog të suksesshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Mendoj se është shumë e qartë dhe shumë e rëndësishme që në këtë situatë siguria është e rëndësishme dhe reagimi duhet të jetë i qartë dhe i vendosur për këtë. Por është gjithashtu e qartë se, nëse doni ta zgjidhni çështjen e sigurisë për kohë afatgjate, duhet të kemi një dialog të suksesshëm dhe angazhimi në dialog për normalizimin e Kosovës dhe Serbisë mund të jetë një nga gurët e themelit të zhvillimeve të ardhshme. Ne nuk duhet ta ndalojmë dialogun tani, duhet të vazhdojmë dhe të përdorim forcat tona dhe të përpiqemi të gjejmë zgjidhjen për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe për të pasur një dialog të suksesshëm”, theksoi Sarrazin.
Ai theksoi po ashtu se janë në koordinim të ngushtë me autoritetet e Kosovës që nga momenti i paraqitjes së situatës së rëndë në veri.
“Së pari dua të them se kam qenë aty për t’ia shprehur atë që kam thënë këtu edhe atij, për t’i shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet dhe për të riafirmuar qëndrimin e qartë të Gjermanisë në krah të Kosovës. E dyta është se ne jemi në koordinim të ngushtë me partnerët tanë në Kosovë që nga momenti i paraqitjes së situatës. Por sigurisht, ai na informoi edhe për situatën aktuale nga këndvështrimi i tij që ishte shumë i rëndësishëm për ne. Unë mendoj se sot nuk është dita për të diskutuar më tej këtë”, theksoi ai.
Ai në fund ka thënë se është me rëndësi që të zbatohet marrëveshja e Ohrit.
“Dialogu sigurisht që mund të vazhdojë dhe është e rëndësishme që të përpjekkemi për të gjetur rrugën për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Ajo që dëgjoj në Beograd dhe në Prishtinë është se marrëveshja e Ohrit është një gur themeli në një moment historik dhe mund të çojë në një drejtim shumë pozitiv të marrëdhënieve. Por sigurisht, ne e shohim që për momentin nuk është zbatuar me sukses dhe mendoj se ky nuk është momenti për të ndaluar përpjekjet për zbatimin e suksesshëm të marrëveshjes së Ohrit, është e kundërta”, theksoi ai.
Policia e Kosovës është sulmuar mëngjesin e së dielës ndërsa si pasojë humbi jetën rreshteri Afrim Bunjaku, dhe kanë plagosur dy të tjerë.
Autoritet në Kosovë drejtuan gishtin nga Beogradi zyrtar se qëndrojnë mbrapa këtij sulmi.
Komuniteti ndërkombëtar e dënoi aktin e së dielës ndërsa bëri thirrje që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
Nga operacioni i policisë janë arrestuar edhe 6 persona të tjerë, dy prej të cilëve janë të plagosur.