UBT News

​RrGK fillon fushatën “Voto për më shumë gra në zgjedhje lokale”

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka filluar fushatën “Voto për më shumë gra në zgjedhjet lokale”.

RrGK ka njoftuar se rreth 80 vullnetarë nga e hëna në të premten (11-15 tetor) do të shkojnë çdo derë për të diskutuar me gratë dhe burrat mbi rëndësinë e votimit të më shumë grave në zgjedhjet që do të mbahen me 17 tetor.

“Rreth 80 vullnetarë për pesë ditë (11-15 tetor) do të bisedojnë me qytetarë duke shkuar derë më derë në 21 komuna të Kosovës për të diskutuar me gratë dhe burrat votues mbi rëndësinë e votimit të më shumë grave në zgjedhjet lokale që do të mbahen me 17 tetor 2021. Ligji për Barazi Gjinore (LBGj) garanton përfaqësim të barabartë gjinor në të gjitha fushat, përfshirë atë politike. Mirëpo, në kundërshtim me këtë ligj, deri më sot, as partitë politike e as komunat nuk kanë siguruar pjesëmarrje të barabartë të grave dhe burrave në sferën publike. Prandaj, na mbetet neve si qytetarë ta arrijmë barazinë”, thuhet në komunikatën e RrGK-së.

Tutje RrGK ka inkurajuar qytetarët që të votojnë për gratë duke theksuar se ato të përfaqësojnë më së miri interesat e tyre në komuna.

“RrGK inkurajon të gjithë qytetarët që të votojnë për gratë të cilat do të përfaqësojnë më së miri interesat e tyre në komuna dhe në kuvende komunale, si dhe do të përpiqen për arritjen e barazisë gjinore. Përkrahja e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje është pjesë e Strategjisë së RrGK-së 2019-2022. Po ashtu, kujtojmë se RrGK ka bërë fushatë për këtë edhe në zgjedhjet e vitit 2017, 2019 dhe në zgjedhjet nacionale të vitit 2021, si dhe do të vazhdojë të përkrahë, mbrojë dhe të promovojë të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në të gjithë Kosovën, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, fetare, etnike apo orientimi seksual. RrGK vlerëson zgjedhjet si element qenësor të një shteti demokratik, kurse barazinë gjinore si të drejtë elementare të njeriut, andaj bëjmë thirrje që të votohen më shumë gra në këto zgjedhje lokale, si kusht i domosdoshëm drejt luftimit të traditës institucionale që padrejtësisht ka privuar gratë nga pjesëmarrja në politikë dhe procese vendimmarrëse. Po ashtu, le të sjellim ndër mend se këto zgjedhje po mbahen vetëm pak muaj pas zgjedhjeve nacionale të parakohshme të mbajtura me 14 shkurt 2021, me ç’rast përfaqësimi i grave në Kuvendin e Kosovës u rrit për pesë ulëse (krahasuar me zgjedhjet e kaluara të vitit 2019), e po ashtu edhe kësaj radhe më shumë gra u zgjodhën pa kuotë se sa që u zgjodhën falë saj. Andaj, më 17 tetor, cilëndo listë që zgjedhni, votoni për më shumë gra në komuna! Kjo fushatë realizohet si pjesë e nismës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, si dhe mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Exit mobile version