Rreth 350 mijë njerëz janë ende të bllokuar në Mariupol, qyteti në Ukrainën juglindore që është rrethuar nga trupat ruse që nga 1 marsi, tha një zyrtar lokal.
“Duke marrë parasysh se ka 540 mijë banorë dhe rreth 150 mijë njerëz të evakuuar në tre ditët e para kur ishte ende e sigurt për ta bërë këtë, ne vlerësojmë rreth 350 mijë njerëz të ngecur në Mariupol”, tha Petro Andriushchenko, këshilltar i kryetarit të bashkisë së Mariupolit, në televizionin ukrainas, raportoi CNN.
Përpjekjet e shumta zyrtare për të krijuar korridore të sigurta dhe për të evakuuar civilët nga Mariupol kanë dështuar ditët e fundit.
“Shumica e njerëzve po qëndrojnë në bodrume dhe strehimore në kushte çnjerëzore. Pa ushqim, pa ujë, pa rrymë, pa ngrohje”, tha ai, duke shtuar se njerëzit po shkrinin borën dhe po çmontonin sistemin e ngrohjes për të marrë ujë për të pirë.
Duke folur për viktimat civile, Andriushchenko tha se që nga e diela, 1 mijë e 800 njerëz u konfirmuan se ishin vrarë.
Duke folur të hënën, Oleksiy Arestovych, një këshilltar në zyrën e Presidentit Volodymyr Zelensky, tha se bombardimet ruse të Mariupolit kanë shkaktuar më shumë se 2 mijë e 500 vdekje.