Mes tensioneve pozitë dhe opozitë nisi mbledhja e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Gjatë raportimit të ministrit të Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Kosovës për vitin 2021, është kritikuar nga opozita për vazhdimin e dhënies së pagave për 199 zyrtarë serbë pa shkuar në punë fare.
Fillimisht deputeti Halil Thaçi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se kryesuesja Hykmete Bajrami, e cila vjen nga LDK, e ka mbyllur pa shpjegim mbledhjen e kaluar të komisionit dhe ka lejuar që një deputet të ofendojë deputetë të tjerë. Për këtë ai tha se deputetja Bajrami duhet të kërkojë falje.
“Mos e keqpërdor pozitën tuaj, kërko falje se të takon me kërkua falje”, theksoi Thaçi.
Deputetja Bajrami ka thënë se mbledhjen e ka mbyllur shkaku që ministri Murati mungoi në raportim pa paralajmërim. Pavarësisht kësaj kërkese, Bajrami nuk kërkoi falje.
“Unë nuk kam nevojë me të dhënë ty as një lloj shpjegimi, si kryetare mundem me e mbyllë mbledhjen. E dini që situata eskaloi dhe unë në pamundësi për ta menaxhuar, ministrin nuk e kishim prezent. Ministri Murati as nuk pati lajmëruar më herët që nuk vjen. Asnjë herë unë ty nuk të kërkoj falje. Është kulturë e imja, kam kulturë për vete. Kështu që nuk kam nevojë unë me të kërku ty falje”, theksoi Bajrami.
Murati është kundërpërgjigjur se kjo është e pavërtetë dhe se stafi i tij e ka njoftuar administratën se ministri nuk mund të vijë në mbledhjen e komisionit. Por koordinatorja e Komisionit demantoi ministrin Murati se nuk ka marrë asnjë njoftim nga kabineti i ministrit Murati.
“Kabineti im ka kontaktuar përmes telefonit me koordinatorin, se ministri të martën nuk mundet me ardhur dhe a mund të shtyhet. Më vjen shumë keq që ka mungesë të komunikimit në mes të stafit administrativ të kuvendit dhe anëtarëve të komisionit…”, theksoi Murati.
Në këtë raportim për Raportin Financiar të Buxhetit të Kosovës, Murati tha se viti i kaluar ka qenë një vit sfidues për menaxhimin e buxhetit të shtetit, pasi që sipas tij qeveria dhe qytetarët u ballafaquan me pandeminë COVID-19, e cila si rrjedhojë pati pasoja edhe në ekonomi. Përkundër këtyre sfidave, Murati tha se ka qenë një vit i suksesshëm.
“Ishte një vit jo i lehtë, për sa i përket sfidave që kishim. Shpesh herë në të kaluarën një sfidë e tillë ka mjaftuar për ta zhvendosur prej binarëve komplet planifikimin buxhetor, e lëre më disa sfida brenda një viti, kështu që ka qenë tepër sfiduese për buxhetin. Në përgjithësi konsiderojmë që si vit fiskal kemi mbyllur shumë mirë, me shumë përmirësime të dukshme, ku kemi pasur rritje të të hyrave të cilat kryesisht kanë ardhur si rezultat i luftimit të kontrabandës”, theksoi Murati.
Për të gjeturën e evidentuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) lidhur me pagesat e serbëve pa dalë në punë, ministri Murati premtoi se do ta adresojnë çështjen e pagesave për 199 punonjësit nga komuniteti serb. Për këtë shkelje, ai fajësoi edhe qeveritë e kaluara.
“Marrëveshja e vitit 2015 cila është ratifikuar në kuvend dhe në atë kohë në koalicion qeverisës keni qenë edhe ju (PDK). Kështu që ju keni ratifikuar një marrëveshje të tillë, pra përgjegjësia bie mbi ju. Dhe tani përgjegjësia se kur dhe sa shpejt do të zgjidhim këtë problem normalisht që na takon neve, por ta dimë adresën se kush e ka shkaktuar këtë problem. Dhe tani po më pyetsi mua se a do ta zgjidhim. Po, do ta zgjidhim”, tha Murati.
Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi i ka thënë ministrit të Financave, Hekuran Murati, se pushteti aktual i ka lodhur duke ua përmendur 20-vjetshin e kaluar.
“Na keni lodhë me këto 20 vjet. Gabim je, gati 20 muaj i bëtë qeverisje, më vjen keq, por nëse ti je ministër i dështuar, duhesh me u deklaru, sepse këta 199 punonjës ke mundur dy muaj me iu dhënë afat, hiq më shumë e jo 20 muaj. Ti përderisa nuk ke marrë masa më herët, duhesh me u arsyetu në qeverisjet e kaluara. Ti 20 mijë mësimdhënësve ua ke ndaluar pagat me arsyetimin se nuk po punojnë. Këta serbë nuk kanë punuar, pse ua ke dhënë pagat?”, pyeti Bytyqi.
Ndërsa, deputeti nga radhët e PDK-së, Rashit Qalaj u shpreh se të gjeturat e auditorit janë serioze, sidomos për 13 të gjetura në kategorinë e pagave dhe mëditjeve.
“Kemi pasur një vërejtje nga auditori që është serioze, kështu ZKA ka identifikuar 13 të gjetura në kategorinë për paga dhe mëditje, si; angazhimi i stafit pa procedura të rekrutimit, mungesa e dëshmive për vijueshmëri në punë, ushtrimi i pozitave të punës në mospërputhje me gradat e fituara dhe dobësi në procedura të rekrutimit të personalit në shërbimin civil”, tha Qalaj.
Kurse deputeti i Vetëvendosjes Eman Rrahmani tha se pagesa rreth 10 milionë euro në vitin 2021 për përmbaruesit privat është alarmante. Derisa për çështjen e pagave për serbët, Rrahmani tha se si deputet prej ditës së parë e ka ngritur këtë shqetësim.
“Çështje shumë problematike e cila duhet të na alarmojë të gjithëve dhe që kërkohet zgjidhje, është fjala për rreth 10 milionë euro humbje nga buxheti i Kosovës për vitin 2021 për shkak të pagesave përmbarimore dhe vendimeve gjyqësore. Ndërsa, rreth pagesave të 199 zyrtarëve, besoj që kam qenë deputeti që prej ditës së parë kam ngritur këtë shqetësim, dhe deri sot nuk kam dëgjuar asnjë herë deputetët e këtij komisioni derisa ka ardhur raporti i punës për qeverinë Kurti , nuk është që është ngritur si problematikë. Kështu që kemi qenë të vetmit nga Vetëvendosje që kemi kërkuar”, tha Rrahmani.
Deputetë të tjerë në këtë komision patën vërejtje për mosrealizimin e projekteve kapitale, veçmas të atyre infrastrukturore.