Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që sa më parë ta votojnë Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.
Sipas saj, heqja e TVSH-së, nuk mund të ketë efekt tani kur kemi të bëjmë me spekulime dhe keqpërdorim të krizës për të rritur çmimet e energjisë.
Ministrja e Ekonomisë tha se qytetarët sot po paguajnë deri në 740 euro për 1 ton pelet, derisa çmimi i prodhimit nuk është nën 200 euro.
“Qytetarët sot paguajnë deri në 740 euro për 1 ton pelet, ndërsa vitin e kaluar ky çmim ka qenë 180 euro. Do të thotë kemi më se katërfishim të çmimit të peletit. Ndërkohë çmimi i prodhimit është nën 200 euro, është 150 deri në 180 euro që do të thotë se po flasim për një fitim prej 560 euro për çdo ton peleti që shitet. Heqja e TVSH-së që po e propozoni nuk ka të bëjë me këtë aspak. Heqja e TVSH-së nuk mund të ketë efekt në një kohë kur kemi të bëjmë me spekulime në një kohë kur kemi të bëjë me keqpërdorim të krizës për të rritur çmimet e energjisë. Ju lutemi ta votoni këtë ligj sa më herët që është e mundur është dashur të trajtohej javën e kaluar, por mbi baza procedurale partitë opozitare e keni kundërshtuar, ju lutem të mos e vononi më tepër këtë ligj dhe votoni sot menjëherë“, tha ajo.