UBT News

​Rizvanolli: Qeveria nuk ka përgjegjësi për vendimet e ZRrE-së

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deklaroi sot se propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e rrymës, është në diskutim publik.

Sipas saj, ky propozim nuk është final dhe se do të jepen propozime shtesë nga qeveria. Ajo në konferencën për media bashkë me kryeministrin Albin Kurti, ka folur për këtë propozim duke theksuar se subvencionimi është i pashmangshëm.

“Propozimi i ZRRE-së nuk është final, ai është në diskutim publik. Ne do ta trajtojmë raportin, do të kërkojmë sqarime shtesë dhe do të japim propozime për aty ku mendojmë se gjërat mund të bëhen më mirë. Mirëpo, një gjë është e qartë dhe ka qenë e qartë edhe para se të shohim këtë draft-raport, kjo është që kostot e importit dhe kostot e sektorit janë rritur shumë. Dhe që subvencionimi është i pashmangshëm në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të mos prekën ndjeshëm. Andaj ne kemi vendosur që në mënyrë proaktive të ndërhyjmë duke zotuar një subvencion prej 75 milionë euro. Për të mos lejuar që e gjithë barra e kësaj rritje të jashtëzakonshme, jo vetëm në Kosovë por në gjithë Evropën t’i bie qytetarëve dhe bizneseve tona”, ka deklaruar ajo.

Rizvanolli u zotua se ky subvencion do të zbusë rritjen e tarifave të energjisë për qytetarët dhe bizneset.

“Për amvisëritë që konsumojnë deri në 600 kilovat në muaj, ZRRE ka propozuar rritje deri 9 për qind. Pas subvencionit të qeverisë këto amvisëri do të kenë 0 për qind rritje të tarifës. Për bizneset e Kosovës, ZRRE ka propozuar rritje prej 9 për qind, pas subvencionit të qeverisë edhe këto do të kenë 0 për qind rritje të tarifës. Për konsumatorët shtëpiakë, mbi 600 kilovat, subvencioni i qeverisë do të zbus dukshëm rritjen tarifore. ZRRE ka propozuar që të jetë 0,21 euro për tarifën e lartë dhe 0,09 për kilovat për tarifën e ulët. Ndërsa, pas subvencionit, tarifa e lartë i bie të jetë 0,14 euro për tarifën e lartë dhe 0,06 për tarifën e ultë”, tha Rizvanolli.

Më tej, ajo shtoi se ka kërkuar nga të gjithë institucionet e fushës që të vijnë me një propozim se si do të bëhet subvencionimi.


“Qeveria nuk miraton, as nuk ka përgjegjësi për vendimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe ndërhyrja në vendimet e tyre do të ishte e jashtëligjshme, mirëpo ne zotohemi që çfarëdo vendimi që ZRRE të merr, ne do të përkushtohemi që të ndikojmë përmes instrumenteve që kemi në dispozicion për të siguruar furnizimin me energji elektrike, mbrojtjen e konsumatorëve dhe në radhë të parë ata që shfrytëzojnë energjinë elektrike racionalisht sipas nevojës, si dhe në mbrojtjen e vendeve të punës dhe ekonomisë së vendit”, ka deklaruar ajo.

Ministrja e Ekonomisë u zotua se asnjë cent nga subvencioni nuk do të shkojë për kompanitë specifike, por për faturat e qytetarëve. 

Exit mobile version