Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se gjatë muajit nëntor ka pasur ulje prej 15 për qind të konsumit të energjisë elektrike, në krahasim me vitin e kaluar. Sipas saj, janë kursyer dhjetëra milionë euro, ndërkohë që për muajt e dimrit është vlerësuar se do të ketë import në vlerë prej 300 milionë euro.
Në një konferencë për media, ajo theksoi se deri më tani janë disbursuar mbi 57 milionë euro në faturat e energjisë. Ajo ka folur edhe për planin e veprimit për pakon emergjente nga Bashkimi Evropian prej 75 milionë euro. Rizvanolli ka thënë se gjatë këtij viti është ulur konsumi i energjisë elektrike.
“Konsumi përgjatë këtij viti në Republikën e Kosovës është ulur. Gjatë muajit nëntor dhe tek amvisëritë e shohim një ulje impresive prej 15 për qind, në krahasim me energjinë elektrike të konsumuar vitin e kaluar… Po flasim për dhjetëra milionë kursime si rrjedhojë e kësaj. Para rreth një muaji, kur i kemi vlerësimit është vlerësuar se gjatë muajve të dimrit duhet të importohet 20 për qind të energjisë elektrike. Në atë kohë është vlerësuar që 300 milionë euro do të na duhen për të tejkaluar dimrin. Deri më tani për shkak të kërkesës më të ulët, ne kemi arritur që parashikimet t’i përmirësojmë”, tha ajo.
Përkundër kësaj, Rizvanolli ka kërkuar nga qytetarët kursim të energjisë elektrike. Meqë, siç tha ajo, dje dhe sot për megavat orë në bursat ndërkombëtare ka pasur rritje të çmimeve për mbi 500 euro.
Ministrja e Ekonomisë tha se nga shkurti deri në muajin nëntor janë subvencionuar mbi 57 milionë euro për fatura të energjisë.
“Deri më tani subvencionit për të gjithë konsumatorët, pra që aplikohet nga shkurti, deri më tani janë disbursuar 57.84 milionë euro. Ndërsa, 7.51 milionë euro pritet të disbursohen sapo të konfirmohen ditëve në vijim, për muajin nëntor është fjala. Nga ky subvencion kanë përfituar mbi 467 mijë amvisëri dhe mbi 70 mijë biznese, për vlerën për çdo muaj”, ka deklaruar ministrja Rizvanolli.
Ajo ka folur edhe për masën e tretë të qeverisë për subvencionimin e pajisjeve për ngrohje.
“Shuma e disbursuar totale nga thirrja e parë është 1 milion e 453 mijë e 909,04 euro. Ndërsa, në fazën e dytë të hapur para rreth një muaji, në fazë e parë kanë aplikuar mbi 14 mijë qytetarë. Prej të cilëve, 7.646 pastaj kanë vazhduar të aplikojnë në fazën e dytë. Prej tyre, 838 janë nëna vetushqyese, 1112 janë përfitues të asistencës sociale, ndërsa nga komunitetet pakicë janë 657. Tanimë prej këtyre aplikacioneve janë trajtuar 2.207 aplikacione, ndërsa disbursimi është bërë për 605 familje në vlerë prej 201.005 euro”, theksoi Rizvanolli.
Pasditen e së martës, Rizvanolli para gazetarëve ka folur për planin e veprimit për pakon emergjente nga Bashkimi Evropian prej 75 milionë euro.
“Bashkimi Evropian ka ndarë 500 milionë euro për shtetet e Ballkanit Perëndimor, nga të cilat 75 milionë euro janë ndarë për Kosovën, janë zotuar për Kosovën që i bie rreth 43 euro për kokë banori që është shuma më e lartë për kokë banori ndër vendet e rajonit. Që nga fillimi i muajit nëntor kur është dhënë ky zotim, kur është konfirmuar kjo pako e mbështetjes financiare, Ministria e Ekonomisë së bashku me institucionet tjera në radhë të parë me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Zyrën e Kryeministrit dhe fondin e eficiencës së energjisë së Kosovës ka bashkëpunuar me Zyrën e BE-së në Kosovë për hartimin e planit të bashkëveprimit dhe identifikimin e masave që do të ndërmerren menjëherë për zbutjen e efekteve të qytetarët dhe te bizneset”, ka thënë Rizvanolli.
Ajo ka përmendur edhe gjashtë masat e miratuar në kuadër të këtij plani, të miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë.
“Masa e parë është mbështetje e drejtpërdrejt financiare për familjet në nevojë për periudhën e dimrit. Masa e dytë ka të bëjë me vazhdimin e masës për kursim të energjisë për konsumatorët familjarë. Të dyta këto masa do të zbatohen nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Masa e tretë parasheh investimin me masa të eficiencës së energjisë në njësi të banimit dhe ndërtesa, me shumë total prej 20 milionë euro, ku zbatimi do të bëhet pjesërisht nga Fondi Kosovar për Eficiencë të Energjisë në bashkëpunim me institucionet tjera relevante si Ministria e Ekonomisë dhe Agjencia për Eficiencë të Energjisë së Kosovës. Masat që do të realizohen në kuadër të kësaj mase janë izolimet e ndërtesave, fasadat e jashtme, ndërrimi i dyerve dhe dritareve të jashtme, ku target grup janë konsumatorët familjarë, mirëpo edhe veçanërisht konsumatorët në nevojë në veçanti banorët e banesave kolektive, ku banojnë qytetarët që janë përfitues të ndihmës sociale”, ka përfunduar Rizvanolli.
Sipas saj, masa e katërt mbështet konsumatorët familjarë përfshirë konsumatorët në nevojë për të investuar në pajisje familjare eficiente, duke përfshirë pajisjet për ngrohje edhe në sisteme të energjisë së ripërtritshme. Po ashtu, edhe ndërmarrjet mikro-të vogla dhe të mesme, të cilat do të mbështeten për pajisje të ngrohjes, mirëpo edhe për instalimin e sistemeve të ripërtritshme.