Të rinjtë e Partisë Demokratike të Kosovës, sot përmes një aksioni simbolik para Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë kërkuar dorëheqjen e ministres Rozeta Hajdari e cila është përfshirë në disa incizime si e dyshuar që qëndron mbrapa disa keqpërdorimeve në lidhje me rezervat shtetërore.
“Vaji dhe Polonia, si Rozeta e hajnia!”; “Rinia largohet, Rozeta pasurohet”; “Ju me zemër, na pa bukë!” – ishin disa nga parullat e aksionit të sotëm të RDK-së.
Kryetarja e Rinisë Demokratike të Kosovës, Arbnora Salihu tha se MINT në krye me ministren Rozeta Hajdari deri tani ka shpërfaqur vetëm keqmenaxhim e abuzim të parasë publike.
“Përgjimet që lidhen specifikisht me vajin e sheqerin dëshmojnë se kjo ministri ka blerë vaj e sheqer mbi 300 mijë euro prej një kompanie polake, paret i kanë dhënë por vaji, sheqeri e gruri nuk janë kurrkund. Ne po i zhvillojmë këtë aksion simbolik sepse kjo ministri në krye me Rozetën nuk ka treguar rezultat deri më tani por ka treguar vetëm keqmenaxhim e abuzim të parasë publike”, tha Salihu.
Të rinjtë e PDK-së kërkuan dorëheqjen e menjëhershme të Rozeta Hajdarit dhe nga organet e rendit t’i hetojnë ato që i quajti si skandale korruptive.
“Po shihet qartë që Qeveria Kurti me skandale të njëpasnjëshme nuk është duke pasur kohë e as nuk e ka prioritet rininë. Andaj, ne kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Rozeta Hajdarit dhe kërkojmë nga organet e rendit të hetojnë mbi këto skandale korruptive”, tha Salihu.
Të rinjtë më pas janë larguar paqësisht nga shkallët e Ministrisë së Industrisë ndërsa aty lanë parullat me të cilët protestuan ndaj ministres Hajdari.