UBT News

​Refuzohen 3 mijë e 435 zarfe me fletëvotime nga diaspora

Nga 11 mijë e 653 pako të supozuara me fletëvotime që i janë nënshtruar procesit të vlerësimit, janë aprovuar 8 mijë e 212 zarfe, ndërsa janë refuzuar 3 mijë e 435 zarfe me fletëvotime.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke u bërë procesimi i të dhënave dhe formularëve të rezultateve të kandidatëve dhe subjekteve politike; skanimi i listës përfundimtare të votuesve; dhe procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se QNR-ja deri më tani nga 2 mijë e 382 vendovotime, ka arritur që të procesojë në sistem të dhënat për 2 mijë e 100 vendvotime.

“Sipas të dhënave të deritashme, QNR-ja ka arritur që nga 2 mijë e 382 vendvotime të procesojë në sistem të dhënat nga formularët e subjekteve politike për 2 mijë e 100 vendvotime (88.16%), si dhe të dhënat nga formularët e kandidatëve për 1 mijë e 679 vendvotime (70.49%). Edhe në skanimin e listës përfundimtare të votuesve, e cila ka shërbyer që votuesit të nënshkruhen në ditën e zgjedhjeve, ka progres të theksuar. Deri më tani është skanuar lista përfundimtare e votuesve nga 2 mijë e 35 vendvotime (85.43%). Siç e kemi bërë të ditur ky skanim është i domosdoshëm për të na siguruar nëse ka ose jo raste kur ndonjë votues ka votuar në vendvotimin e tij të rregullt, por edhe në vendvotimin me kusht”, tha Elezi.

Veç tjerash, ai ka shtuar se shërbimi votues i KQZ-së, është duke vijuar edhe me procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre. Elezi tha se ky proces do të ndihmojë që të dihet numri i saktë i fletëvotimeve nga jashtë vendit.

“Deri më tani, nga 11 mijë e 653 pako të supozuara me fletëvotime që i janë nënshtruar procesit të vlerësimit, janë aprovuar 8 mijë e 212 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 3 mijë e 435 zarfe me fletëvotime. Arsyet e refuzimit të tyre janë të ndryshme. Disa prej këtyre pakove janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; disa të tjera për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit. Po ashtu, në disa raste pakot janë dërguar nga votues të paidentifikuar (votim grupor); apo se në pakon që kanë dërguar kanë bashkangjitur dokumente jo-valide”, ka theksuar Elezi.

Elezi para gazetarëve ka theksuar se sot do të përfundojë rinumërimi i 12 vendvotime.

“Me rekomandim të QNR-së ne nuk mund ta përjashtojmë këtë sepse ka rinumërime të cilat janë në procesin e auditimit aktualisht dhe duhet të presim procesin e auditimit të tyre”, ka shtuar ai.

Zëdhënësi i KQZ-së shtoi se në fletëvotimet e 12 vendvotimeve janë vërejtur se formularët nuk janë nënshkruar nga organet e Këshillave të Vendvotimeve.

Exit mobile version