Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se është i kënaqur që zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat në veri të vendit kaluan pa incidente. Në një prononcim për media, Rashiq tha këto zgjedhje janë legale.
“Jam shumë i kënaqur që krejt procesi zgjedhor ka kaluar pa incidente… Ndoshta mund të thoni se nuk ka legjitimitet, por ka legalitet. Legaliteti në këtë rast ëhstë arritur, e legjitimiteti gjithmonë do të jetë sfidë”, tha ai.
Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), në Mitrovicën e Veriut ka fituar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq me 519 vota apo 66.5 për qind, pasuar nga kandidati i PDK-së, Taulant Kelmendi me 186 vota apo 23.8 për qind, kurse Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica ka marrë 75 vota apo 9.6 për qind. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar po ashtu në komunën e Leposaviqit me kandidatin Lulzim Hetemi, i cili ka marrë 100 vota apo 73.5 për qind, pasuar nga kandidatja e PDK-së, Albulena Behluli-Hetemi që ka marrë 34 vota apo 25 për qind. Ndërkaq, në dy komunat tjera, Zubin Potok dhe Zveçan, sipas të dhënave të KQZ-së ka fituar Partia Demokratike. Në Zubin Potok ka fituar kandidati i PDK-së, Izmir Zeqiri me 196 vota apo 52.1 për qind, kurse kundër kandidati i tij nga LVV, Flatron Hasani ka marrë 180 vota apo 47.9 për qind. Në anën tjetër, Ilir Peci nga PDK-ja ka fituar 114 vota në Zveçan apo 60.0 për qind, pasuar nga kandidati i LVV-së, Lulzim Peci me 71 vota apo 37.4 për qind.