Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’u dërgoj shkresa shteteve anëtare të QUINT-it në Kosovës pas mbajtjes që po i bëhet këshilltares së tij në pikën kufitare në Merdarë nga autoritetet serbe.
Rashiq tha se këshilltarja e tij tash e 14 orë po qëndron në këtë pikë kufitare me Serbinë, derisa i janë marrë edhe dokumentet.
“Dje këshilltarja ime duke ardhur nga drejtimi i Beogradit në vendkalimin kufitar në Merdarë është ndaluar 4 orë në hyrje ose në dalje nga Serbia. 4 orë i ka kaluar dhe ajo ka pasur takime të caktuara me ambasadorin Howenier dhe pas këtyre jemi parë shkurtimisht. Dhe në hyrje prapë është ndaluar dhe deri në këto momente derisa po flas ende është duke qenë atje e ndaluar… Atje është tekstualisht 14 orë e mbetur atje, arsyetime juridike nuk kanë, i kanë marr dokumentet dhe ajo pret… Mua më vjen keq që zonja Trajkoviq një grua me moral të lartë ajo u ka ndihmua shumë njerëzve për të shpëtuar dhe unë dëshiroj që t’iu lus e di që nuk është në kompetencën tonë, nëse është e mundur qysh sot nga kabineti të dërgoni një shkresë-kërkesë si të doni anëtarëve të grupit të QUINTI-it të shprehni lutjen për të biseduar me kolegët e vet në Beograd që çështjet e tilla të mos ndodhin sepse nga mëngjesi jam i brengosur”, theksoi ai.
Sipas ministrit Rashiq, këshilltarja e tij, Rada Trajkoviq e cila vuan nga diabeti po kalon një gjendje të vështirë pasi i nevojiten edhe insulina.
Ministri për Komunitete dhe Kthim theksoi se me ardhjen e krerëve të rinj të Agjencisë BIA do të jetë një doktrinë e re për ata që kanë mendim ndryshe nga regjimi aktual i Serbisë.
“Një rast i turpshëm ndaljen e gruas që ka sëmundjen e diabetit dhe është e mëshuar dhe tani është duke kaluar një periudhë shumë të vështirë ka sëmundjen e diabetit asaj i nevojitet rregullisht insulina dhe falënderoj policinë kufitare e cila jo vetëm që ka mundësuar ujë dhe kanë shkuar në Podujevë dhe kanë blerë insulinën…Edhe unë kam pasur raste të tilla jam ndalur në kufi, por për fat timin jo tërë natës siç i ka ndodhur zonjës Trajkoviq, por siç duket do të jetë sistematik sepse nga ardhja e përfaqësuesve të rinj në Agjencinë BIA do të jetë një doktrinë e re ndaj nesh që kemi mendim të lirë dhe ndryshe nga regjimi aktual i Beogradit” , u shpreh ai.
E për ndalimin e Rada Trajkoviqit ka shprehur keqardhje edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili deklaroi se do të shikoj këtë paradite se çka mund të bëjë që Trajkoviq të hyjë në Kosovë.
“Edhe mua më vjen shumë keq që jemi në një situatë të tillë…do të mund të shoh se çka mund të bëjë sot paradite që zonja Trajkoviq të hyjë në Kosovë”, theksoi ai.
Ndërsa, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla u shpreh se përmes zyrës në Beograd kanë marrë hapat për informim të zyrës së BE-së. Ndërsa shpreson se brenda një kohe të shkurtër këshilltarja Trajkoviq do të lejohet të lëvizë.
“Përmes zyrës sonë në Beograd kemi ndërmarrë të gjithë hapat zyrtar për informimin e Zyrës së BE-së e cila në njëfarë mënyre është njëfarë garance për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës brenda BE-së. Zyra jonë është aktive në përpjekje për të siguruar një lëvizje. Unë e di që edhe ambasadat e QUINT-it të cilat po ashtu i kam kontaktuar janë në lëvizje edhe në Beograd dhe Prishtinë dhe po shpresojmë që është një çështje e një kohe të shkurt kur zonja Trajkoviq do të mund të lëvizë”, theksoi ajo.
Këshilltarja e ministrit për Komunitet dhe Kthim, Rada Trajkoviq nga dje policia serbe nuk po e lejojnë lëvizjen e saj. Ndërsa ajo ka njoftuar se sot në mëngjes i janë konfiskuar dokumentet.
Ndryshe, më 1 dhjetor të këtij viti kryeministri Albin Kurti, ka emëruar Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Ky emërim erdhi pas dorëheqjes së ish ministrit, Goran Rakiq për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar targat ilegale serbe në veri të Kosovës.