Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar fotografi pas takimit informal me krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor të zhvilluar në Tiranë.
“Sot pas takimit informal mbi Planin e Ri të mbështetjes financiare dhe ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor, me komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin e Fqinjësisë, Oliver Varhelyi, kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, atë të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, dhe kryeministren e Serbisë, Ana Bernabiq”, ka shkruar Rama.
Takimi është zhvilluar në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që do të zhvillohet në Shqipëri më 16 tetor.
Në takim ka munguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ndodhet në një aktivitet tjetër në Greqi. Megjithatë, Kurti do të marrë pjesë në samitin e Tetorit.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka sqaruar se kryeministri Albin Kurti e kishte njoftuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama se nuk do të mund të shkojë në takimin joformal të liderëve të rajonit në Tiranë, meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor, është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë.