Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka komentuar situatën në veri të Kosovës ku serbët kanë bllokuar dy pika të kalimit kufitar.
Rama ka thënë se përshkallëzimi i situatës është i paarsyeshëm duke shtuar që Kosova ka të drejtë dhe detyrë të zbatojë marrëveshjet duke ushtruar sovranitetin territorial të saj.
Kryeministri shqiptar ka folur në një konferencë për media me kryeministrin e Spanjës me të cilin ka thënë se ka biseduar edhe për Kosovën.
“Natyrisht kemi folur për Kosovën, dihet që Spanja ka një pozicion të ndryshëm dhe tradicionalisht të palëvizshëm për arsye që lidhen me vet Spanjën dhe që nuk kanë të bëjnë me asnjë lloj diskriminimi apo paragjykimi ndaj bashkësisë së shqiptarëve në Kosovë dhe ndaj të drejtës së tyre por sidoqoftë kemi diskutuar aq më tepër në kuadër ne një situate që mbrëmë vonë ka pasur një përshkallëzim krejtësisht të paarsyeshëm, pasi Qeveria e Kosovës ka të drejtën, jo vetëm të drejtën në fakt por ka edhe detyrën që të zbatojë marrëveshjet duke ushtruar sovranitetin territorial që buron nga një pavarësi në administrimin e shtetit”, ka thënë Rama.
Ai ka pasur edhe një thirrje për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Marrëveshjet e dakorduara me palën tjetër janë marrëveshje për tu zbatuar, nuk janë marrëveshje për tu diskutuar, sidoqoftë ne përshëndesim edhe shtyrjen me 30 ditë të zbatimit të kësaj marrëveshjes, gjë që pash e ka përshëndetur pak më parë edhe shefi i diplomacisë evropiane zotëri Borrel, gjë që u kërkua edhe nga shtetet e bashkuara përmes ambasadorit në Prishtinë. Dhe unë i bëj thirrje autoriteteve në Beograd, presidentit të Serbisë që të mos ushqejnë me asnjë lloj justifikimi dhe me asnjë lloj alibie grupe të caktuara në veriun e Kosovës që për arsyet e tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshje që jo vetëm duhet zbatuar por është e vlefshme të zbatohet edhe për ti dhënë më shumë besueshmëri dialogut në mes të Serbisë dhe Kosovës”, ka shtuar Rama.