UBT News

​Raketa balistike e Koresë së Veriut kishte rreze për të goditur kontinentin e ShBA-së

Koreja Veriore ka lëshuar një raketë balistike interkontinentale me kapacitet për të goditur tokën amerikane, ka thënë ministri i Mbrojtjes në Japoni, Yasukazu Hamada. Raketa ka rënë në ujë, rreth 210 kilometra në perëndim të Hokaidos.

ShBA e ka dënuar nisjen, ndërsa Koreja e Jugut ka urdhëruar masa më të forta parandaluese kundër Veriut, raporton BBC.

Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Choe Son Hui, paralajmëroi të enjten për një përgjigje “më të ashpër” ndaj çdo pranie të shtuar ushtarake amerikane. Ajo lëshoi gjithashtu një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi në të njëjtën ditë.

Kjo pasoi takimin e së dielës mes presidentit të SHBA Joe Biden dhe kryeministrit të Japonisë Fumio Kishida në Kamboxhia.

Të premten, zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Adrienne Watson tha se Biden ishte informuar dhe SHBA do të konsultohej me partnerët.

Koreja e Veriut ka lëshuar më shumë se 50 raketa gjatë dy muajve të fundit, shumica e tyre me rreze të shkurtër. Këto lëshime me rreze të gjatë janë më të rralla dhe përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për SHBA-në, pasi raketat janë projektuar për të transportuar koka bërthamore kudo në kontinentin e SHBA-së.

ICBM-ja e fundit e dyshuar u qëllua në orën 10:15 me orën lokale (02:15 GMT) nga afër kryeqytetit të Koresë së Veriut Pheniani, thanë shefat ushtarakë në Seul.

Ai arriti një lartësi prej 6 mijë e 100 km në një trajektore të ngritur dhe udhëtoi 1 mijë km (621 milje), duke arritur një shpejtësi prej 22 Mach, tha ushtria e Koresë së Jugut.

Një trajektore e ngritur do të thotë se raketa fluturon shumë më lart në hapësirë, por në një distancë më të shkurtër se sa do të ishte nëse do të qëllohej në një trajektore normale.

Por ministri japonez i mbrojtjes Yasukazu Hamada tha se raketa kishte rreze të mjaftueshme për të arritur në SHBA.

“Bazuar në llogaritjet duke marrë parasysh trajektoren, raketa balistike këtë herë mund të kishte një kapacitet veprimi prej 15 mijë km, në varësi të peshës së kokës së saj, dhe nëse është kështu, do të thotë se territori i ShBA ishte brenda rrezes së saj”, tha ai.

“Ne i kemi thënë (Phenianit) se absolutisht nuk mund të tolerojmë veprime të tilla”, u tha Kishida gazetarëve në Tajlandë.

Modeli i Koresë së Veriut gjatë muajve të fundit ka qenë lëshimi i raketave në përgjigje të aktivitetit ushtarak amerikan rreth Gadishullit Korean.

Ajo po zhvillon një lloj të ri rakete me rreze të gjatë, Hwasong-17, e cila është më e madhe se ICBM-të që ka testuar me sukses në të kaluarën.

Ekspertët besojnë se disa përpjekje për të nisur Hwasong-17 kanë dështuar dhe Veriu ende nuk ka qenë në gjendje ta bëjë atë të fluturojë në rrugën e tij të plotë.

Exit mobile version