Banorët e “Lagjes së boshnjakëve”, “Tre rrokaqiejt”, “Kodra e minatorëve” dhe “Kroi i Vitakut” kanë mirëpritur shtimin e pranisë së Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Banorët e këtyre lagjeve janë shprehur të lumtur për prezencën e policisë në atë pjesë, duke thënë se tani po ndihen më të sigurt.
Fetije Pirqi, banore e “Lagjes së boshnjakëve”, u shpreh e lumtur për prezencën e pjesëtarëve të policisë në lagjen e saj, duke thënë se tashmë banorët e këtushëm po ndihen më të qetë.
“Ne këtë natë e kemi pritur dhe jo vetëm unë por krejt lagjja. Jemi të gëzuar që ka ardhur Policia e Kosovës këtu. Ndryshe, sonte jemi më të qetë sepse mbrëmë kemi pasur një detonim të vogël… Shpresoj kjo (prani e policisë) vazhdon kështu sepse e kemi punën keq”, ka thënë Pirqi.
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë pozicionuar mbrëmë pas orës 20:00 nëpër lokacione të ndryshme të veriut të Mitrovicës.
Ata ndodhen kryesisht nëpër lagje të banuara me popullatë të përzier ku ka edhe shqiptarë, si në “Lagjen e boshnjakëve”, “Tre rrokaqiejt”, “Kodra e minatorëve” dhe “Kroi i Vitakut”.
Ndryshe në lokacionet ku janë vendosur policët e Kosovës, janë parë duke qarkulluar edhe pjesëtarët e KFOR-it me automjetet e tyre, si dhe ata të EULEX-it.
Kujtojmë se të martën pati të shtëna dhe shpërthime në veri të vendit, ku strukturat ilegale serbe penguan zëvendësimin e zyrtarëve të KQZ-së.