Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prizrenit, Anton Quni premtoi sot para tregtarëve të Prizrenit se në programin e tij qeverisës do të kenë prioritet edhe tregjet.
Quni me rastin e vizitës në tregun në Bazhdarhane tha se tregjet e Prizrenit kanë nevojë për investime të ndryshme në infrastrukturën përcjellëse, teksa u zotua se problemet aktuale do të zgjidhen nga autoritetet e komunës.
“Në programin tonë qeverisës vëmendjen e veçantë do të kenë edhe tregjet, tregjet ekzistuese tek të cilat ne duhet të bëjmë investime të ndryshme në infrastrukturën përcjellëse, ngritjen e standardeve, posaçërisht atyre sanitare. Të gjithë shprehin admirim për pastërtinë, për sigurinë etj., por siç e shihni vet ka probleme për parkingje, pritje. Këto janë çështje që duhet të zgjidhen nga autoritetet e komunës”, tha ai.
Pretendenti për të parin e Prizrenit tha se do të zgjidhin edhe kaosin e shkaktuar nga veturat, me ndërtimin e një parkingu nëntokësor 100 metra larg tregut.
“Në programin tonë është paraparë në 100 metra larg nga këtu, të jetë një nga parkingjet nëntokësore. Shpresojmë që do ta shkarkojmë këtë tension të shkaktuar nga veturat”, tha ai.
Ndërsa, tregtarët uruan që të zgjidhet kaosi në Prizren.