UBT News

​QKMF-të në Prishtinë tre muajt e fundit nuk janë furnizuar nga MSh-ja me listën esenciale

Prishtina vazhdon të jetë komuna me numrin me të lartë të pacientëve të infektuar me koronavirus, por përkundër kësaj Qendrat Mjekësore Familjare në këtë komunë tash e tre muaj nuk janë furnizuar nga Ministria e Shëndetësisë me barna e pajisje të listës esenciale.

Kështu ka njoftuar drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi i cili tha se këto mungesa në furnizim janë duke u munduar t’i mbulojnë me kontratat vetanake të komunës. Por siç tha ai edhe ato kontrata tashmë pothuajse janë shpenzuar.

“Tre muajt e fundit kemi pasur disa probleme në furnizimin nga lista esenciale nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat jemi munduar që t’i mbulojmë nga kontratat vetanake. Mirëpo të cilat nuk i kemi në pakufi dhe të pashtershme edhe ato e kanë një limit dhe të njëjtat edhe ato i kemi shpenzuar duke u munduar që t’i ruajmë kapacitetet tona qoftë edhe në ato më të thjeshtat edhe në sistemet e infuzionit dhe shiringat nuk jemi furnizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe në mungesë të tyre po furnizohemi nga kontratat tona. I kemi koncentruar kryesisht tek rastet me COVID dhe në Urgjencë për rastet urgjente ka raste që ndoshta në qendrat më të vogla ose ku aty ku nuk ka raste urgjent të mungojë ndonjë ditë. Besoj që në ditët në vazhdim presim një përmirësim më të mirë edhe nga niveli qendror”, theksoi Gashi.

Gashi për KosovaPress ka deklaruar se tashmë në kryeqytet numri i rasteve aktive është dyfishuar dhe kjo si pasojë e fushatës së partive politike dhe pakujdesisë së qytetarëve. Ai tha se krahas rasteve pozitive në komunën e Prishtinës janë rritur edhe kërkesat për shërbime mjekësore të cilat ofrohen në Mjekësinë Familjare në Kalabri.

“Tani i kemi rreth 2 mijë e 700 raste aktive në kryeqytet kur para një muaji kishim 1 mijë e100 është më shumë se dyfishuar numri i tyre, duke iu falënderuar parafushatës dhe fushatës si një prej faktorëve kryesorë, por normalisht edhe një lirie të madhe ose një pakujdesie në përgjithësi nëpër të gjithë sektorët për mos t’ia hedh fajin vetëm fushatës, por e vendosi theksin në atë. Tani kemi një numër shumë më të madh të rasteve. Numrat nuk më shqetësojnë, më shqetësojnë kërkesat e qytetarëve për ndihmë të cilat javën e fundit janë rritur jashtëzakonisht shumë dhe këtë e masim me parametrin e qytetarëve të cilët kërkojnë shërbime në qendrën numër 7 në Emshir për terapi paranterale, infuzione dhe trajtim paranteral“, theksoi Gashi.

Drejtori i Shëndetësisë në kryeqytet shprehet kundër shtimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, por shton se duhet të rritet mbikëqyrja dhe zbatimi i atyre aktuale. Ai thekson se janë duke i analizuar rastet spitalore dhe nëse do të ketë nevojë do të shtojnë kapacitet në Qendrën Mjekësore Familjare në Kalabri ku tash e sa muaj ofrohen shërbime mjekësore vetëm për pacientët me koronavirus.

“Mendoj që masat janë të mjaftueshme, por nuk jam ithtar i kufizimeve dhe karantinimeve ekstra, mirëpo zbatimin e rekomandimeve të cilat janë mendoj që është e mjaftueshme një rritje e mbikëqyrjes, mirëpo e kam potencuar disa parafushata, fushat dhe pakujdesia. Ndoshta do të rrisim kapacitetet brenda asaj qendre, do e rrisim numrin e dhomave dhe punëtorëve shëndetësor e në tejkalim të këtyre hapësirave edhe mundësive atëherë të shohim eventualisht që edhe ndonjë aneks i ndonjë qendre sepse e kemi të pamundur që të lirojmë një qendër komplet sepse mbesin 20 mijë banorë pa shërbime të tjera dhe ata duhet të shpërndahen nëpër qendra tjera dhe ajo pastaj shkakton kaos dhe do jetë problem për qytetarët tjerë”, u shpreh ai.

Brenda 24 orëve të fundit në Kosovë me koronavirus pozitivë kanë rezultuar 574 raste, kurse betejën me COVID-19 e kanë humbur 13 pacientë.

Numri i rasteve aktive është 11 mijë e 58 persona, ndërsa numri total i rasteve pozitive është 77 mijë e 827. 

Exit mobile version