Qeveria e Kosovës ka aprovuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Kompakt të Sfidave të Mijëvjeçarit dhe Marrëveshjes për zbatimin e Programit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).
Në mbledhjen elektronike, Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe dy raporte dhe një vendim.
“Pas shqyrtimit nga kabineti qeveritar, është aprovuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes Kompakt të Sfidave të Mijëvjeçarit dhe Marrëveshjes për zbatimin e Programit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC)”, thuhet në komunikatën për media.
Qeveria ka shqyrtuar dhe miratuar Raportin gjashtëmujor të Buxhetit për vitin 2022 si dhe Raportin vjetor financiar të rishikuar për vitin 2021.
Miratimin e kabinetit qeveritar ka marrë edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 13/19 të datës 14 korrik 2021 me ndryshimet dhe plotësimet e bëra, lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike. Plotësimi dhe ndryshimi i vendimit i shton Masës 1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike edhe masën 1.8 – Skema “Qeveria për familjet”- për të cilën ndahen 10 milionë euro.