Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) është duke mbajtur konferencën “Kapitull i ri i dialogut Kosovë-Serbi” me përfaqësues nga partitë parlamentare. Derisa mazhoranca potencoi përgatitjen e Qeverisë Kurti për këtë proces, opozita kritikoi për mungesën e agjendës dhe platformës për dialogun. Ndërkohë, arritja e marrëveshjes finale po shihet si larg e arritshme edhe nga KDI.
Ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se kanë qasjen e duhur për dialogun, por i njëjti nuk mund të ketë rezultat sepse në anën tjetër është një udhëheqës si Vuçiq.
Krahas kësaj, ajo tha se gjitha marrëveshjet e kaluara, që janë vlerësuar të dëmshme do të vinë me propozime të reja, si këshilli nacional i pakicave, alternativë e Asociacionit.
“Propozimet e kryeministrit Kurti janë një hap pozitiv në procesin e dialogut. Përpara do të ecet duke treguar vizionin tonë, por ne nuk mund të kryejmë punën për Serbinë. Ne jemi të gatshëm në bazë të parimeve tona ta vazhdojmë dialogun, por Serbia duhet të veprojë për veti. Ta quajmë finale dialogun e sotëm është e paarritshme në bazë të asaj çka u tha në parlamentin serb”, tha ajo.
Por, kritika ndaj qasjes së Qeverisë Kurti për dialogun adresoi shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
“Kemi prit se ky do të jetë një fillim i ri, por jo, pasi Qeveria Kurti nuk ka agjendë për dialogun dhe e shoh një qasje të gabuar të qeverisë Kurti”, tha ai.
Ndërsa, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj tha se Qeveria Kurti po improvizon në temën e dialogut.
Ai tha se tentimi për zhvlerësimin e Marrëveshjen e Uashingtonit është e dëmshme për Kosovën.
“Nuk e shohim një proces të ri. Ka improvizime për këtë temë, ka takime dhe nuk ka transparencë, pasi nuk i dimë as parimet e qeverisë për dialogun”, tha ai.
Kritik u shfaq edhe shefi u grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
“Qeveria Kurti po përdorë qasje ad-hoc të momentit, përfshirë edhe katër propozimet e tij në Bruksel”, tha ai.