Qeveria e Kosovës me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, gjatë mbledhjes së 91-të të mbajtur në formë elektronike, ka miratuar vendimin për shpalljen e masave emergjente në furnizimin e energjisë.
Qeveria e Kosovës ka marr vendim që të shpallen masat e emergjencës në furnizimin e energjisë, e shtyrë nga gjendja aktuale botërore energjetike: rritja e shpejtë e çmimit të importit të energjisë, si dhe paralajmërimi i ndalimit të eksportit të lëndëve fosile nga disa shtete evropiane që mund të ndikojë në rritjen e mëtejshme të çmimit të importit.
Masat e marra do të mbesin në fuqi për 60 ditë pas aprovimit nga Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi mund të vazhdojë këtë afat për periudha të njëpasnjëshme prej 30 ditësh me shumicë të votave të deputetëve të Kuvendit të pranishëm në seancë, deri në 180 ditë.
Qeveria ka thënë se me qëllim të sigurimit të energjisë së mjaftueshme gjatë dimrit dhe të mbrojtjes së interesit publik, masat e emergjencës, ndër të tjera, përfshijnë: Masa mbështetëse për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit; Ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave; Mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik; dhe Masa në kursimin e konsumit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet.
“Njëkohësisht, Qeveria e Kosovës, veçanërisht Ministria e Ekonomisë janë duke monitoruar situatën elektroenergjetike në Kosovë dhe ndërhyrjet e Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës në përgatitjen e termocentraleve për sezonin e dimrit. Edhe pse termocentralet janë të stërvjetruara, menaxhmenti i KEK-ut së bashku me ekipet e mirëmbajtjes janë duke e bërë maksimumin që blloqet e termocentraleve të gjenerojnë energji elektrike të mjaftueshme për të mbuluar kërkesën vendore. Termocentralet e KEK-ut janë në funksion mbi 80% të kohës gjatë një viti, që është mbi mesataren botërore të punës së termocentraleve me thëngjill. Këto riparime na mundësojnë që ta mbajmë këtë mesatare të lartë të gjenerimit të energjisë dhe furnizim sa më të rregullt”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.