Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka vizituar sot komunën e Shtimes për t’u takuar me kryetarin Qemajl Aliu dhe për të parë nga afër punën e Qendrës për Punë Sociale të mbështetur nga BE-ja.
Szunyog dhe Aliu diskutuan për rolin e komunave në zhvillimin ekonomik dhe social dhe punësimin e të rinjve. Ata gjithashtu vizituan Qendrën Rinore të drejtuar nga Komuna që kujdeset për zhvillimin e aftësive të tyre.
Sipas një njoftimi të zyrës së BE-së në Kosovë, Qendra për Punë Sociale në Shtime u rinovua përmes projektit të financuar nga BE-ja dhe të zbatuar nga UNDP, të projektuar për të ofruar përgjigje urgjente ndaj pandemisë COVID-19 dhe për të mbështetur rimëkëmbjen e menjëhershme pas pandemisë.
“Projekti me vlerë 5 milionë euro po zbatohet në gjithë Kosovën që nga dhjetori i vitit 2020 dhe deri më tani kanë përfituar më shumë se 8200 familje në nevojë. Projekti përfshin ofrimin e ndihmës direkte për pjesëtarët më të cenueshëm të shoqërisë, trajnimin e stafit në 40 Qendrat e Punës Sociale në Kosovë, si dhe rinovimin e 24 qendrave”, thuhet në njoftim.
“Duke iu përgjigjur efekteve negative socio-ekonomike të pandemisë COVID-19, në partneritet me UNDP-në adresuam nevojat e grupeve më të cenueshme në Kosovë, duke përfshirë familjet që jetojnë në varfëri, gratë që ishin viktima të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore dhe personat me aftësi të kufizuara. Siguruam ushqime dhe produkte higjienike dhe ju ndihmuam me faturat e tyre të shërbimeve, por më e rëndësishmja, siguruam trajnime profesionale që i ndihmoi ata të gjeneronin të ardhura”, tha ambasadori Szunyog.
Nga maji 2021 deri në prill 2022, 40 qendrat u mbështetën gjithashtu përmes vendosjes së 40 vullnetarëve të OKB-së, një për secilën qendër, të cilët ishin shtesë e rëndësishme e stafit në qendrat gjatë krizës së shkaktuar nga pandemia.
BE-ja e mbështeti Kosovën si në krizën e menjëhershme mjekësore ashtu edhe në rimëkëmbjen socio-ekonomike pas pandemisë me vlerë prej 168 milionë euro.