Ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, është qëlluar me armë zjarri në qytetin Nara gjatë një fjalimi. Ai është dërguar menjëherë në spital, ku edhe është bërë e ditur se 67-vjeçari është në një gjendje të arrestit kardiopulmonar.
Ish-kryeministri japonez, Shinzo Abe u qëllua dy herë, ku e shtëna e dytë e goditi në shpinë, duke e bërë atë të bjerë në tokë. Raportet thonë se sulmuesi është arrestuar në vendngjarje, raporton BBC.
E mënjëherë pas këtij sulmi kanë reaguar edhe liderët botëror, të cilët kanë ndarë shqetësimin dhe mesazhet e tyre për ish-kryeministri japonez.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka thënë se ky është një moment shumë i trishtuar ndërsa thekson se pret lajme nga Japonia mbi gjendjen e Abe.
“Mendimet tona, lutjet tona janë me të, me familjen e tij, me popullin e Japonisë. Ky është një moment shumë, shumë i trishtuar. Dhe ne po presim lajme nga Japonia”, tha Blinken, raporton CNN.
Kryeministri australian, Anthony Albanese shkroi në një postim në Twitter: “Lajmet tronditëse nga Japonia se ish-kryeministri Shinzo Abe është qëlluar – mendimet tona janë me familjen e tij dhe popullin e Japonisë në këtë kohë”.
Karshi këtij sulmi me armë zjarri ndaj ish-kryeministrit japonez ka reaguar dhe ish-Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, i cili tha se kjo është një goditje e jashtëzakonshme për njerëzit e mrekullueshëm të Japonisë, të cilët e donin dhe e admironin aq shumë.